
Mes 5 emrave të shqiptarëve që u arrestuan në Dubai, është dhe Kristo Qirici, vëllai i biznesmenit Edmond Papa, i ekzekutuar në Tiranë në sagën e përplasjes me grupin e Memaliajt.
Po kush është Kristo Qirici (alias Jetmir Hoxha)?
43-vjeçari Qirici së bashku me vëllain e tij Edmond Papa i vrarë në 16 dhjetor 2022 në Tiranë, administronin hotelin “Blues Sky” në zonën e Sarandës.
Në këtë hotel ka fjetur dy ditë para se të ekzekutohej në 11 qershor 2022 në Tiranë, i ndjeri Alekandër Sadikaj, nipi i Adriatik Kalemit.
Në dosjen hetimore emri i këtij hoteli del disa herë, ku punonjës të Policisë së Shtetit, bisedojnë me kreun e grupit kriminal Kristo Qiricin, duke i kërkuar këtij të fundit ti gjejë dhoma.
Si u ekzekutua Edmond Papa
Papa u ekzekutua mbrëmjen e 16 dhjetorit në hyrje të një lokali në rrugën “Fadil Bodinaku” Tiranë. Ai sapo ishte ulur në lokal kur u qëllua me 9 plumba nga një person i maskuar. Edhe pse 49-vjeçari u dërgua në Spitalin e Traumës, nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.
Biznesmeni me origjinë nga Rroskoveci, jetonte mes Sarandës dhe Anglisë. Ai kishte ardhur në Tiranë më 16 Dhjetor tek vëllai i tij, që banonte pak metra larg lokalit ku u qëllua për vdekje. Dëshmitarët okularë i treguan policisë se ai iu kundërpërgjigj autorit, duke e qëlluar me tavllën e duhanit në tavolinë.
Dyshohet se saga e hakmarrjes mes fisit Kalemi dhe grupit që drejtohej nga biznesmeni Papa, ka nisur për shkak të përplasjeve që kanë të bëjnë me trafikun e drogës. Mes dy miqve ka ndodhur një kontradiktë për punën e pagesës së kësaj sasie droge, duke çuar në ndezjen e konfliktit me vrasjen e Aleksandër Sadikaj me tritol në makinë, shpërthim i cili ndodhi në afërsi të Lundrës. Prej asaj kohe disa ngjarje kriminale kanë pasuar, ndërsa edhe vëllai i Adriatik Kalemit i shpëtoi një atentati në fillim të këtij viti, ndërsa u qëllua me armë zjarri teksa po ecte me makinën e tij.

