Pas njoftimit të SPAK për përfundimin e hetimeve dhe dorëzimin e çështjes në gjykatë, Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar me tone të ashpra duke i mohuar në mënyrë kategorike të gjitha akuzat ndaj tij. Sipas tij dhe përfaqësuesve të tij ligjorë, prokuroria nuk ka paraqitur asnjë provë, asnjë fakt, apo dokument që ta lidhë veprimtarinë e tij si kryebashkiak me ndonjë përfitim apo shkelje ligjore.
Në reagimin zyrtar të shpërndarë për mediat, Veliaj thekson se:
“Në asnjë faqe të kërkesës për gjykim nuk provohet asnjë lidhje mes detyrës sime dhe ndonjë privilegj të paligjshëm për ndonjë subjekt privat. Nuk ka asnjë abuzim me detyrën publike.”
Ai shton se deklarata publike e SPAK duket se ka synuar të ndikojë negativisht në opinionin publik dhe procesin gjyqësor përmes paragjykimit, duke shkelur parimin themelor të prezumimit të pafajësisë.
Akuzat për shkelje të procedurave ligjore gjatë hetimit
Avokatët e Veliajt kanë ngritur një sërë pretendimesh për shkelje të rënda gjatë procesit hetimor, që sipas tyre e delegjitimojnë të gjithë procedurën:
- Hetimi ka nisur mbi bazën e një kallëzimi anonim dhe të falsifikuar;
- Është zhvilluar për shtatë muaj pa autorizim ligjor të vlefshëm;
- Është bazuar në hapjen e korespondencave private pa vendim gjykate;
-Përfshin deklarime vetëinkriminuese të marra nën presion;
- Është drejtuar nga një person që nuk ka qenë ligjërisht prokuror i Republikës;
- Ka shkelur afatet ligjore të hetimit;
- Ka mohuar të drejtën për mbrojtje dhe kundërshtim procedural.
Në qendër të reagimit është edhe masa e sigurimit të vendosur ndaj Veliajt, që konsiderohet “e jashtëzakonshme dhe disproporcionale” në një kohë kur ai është në detyrë si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, me një mandat të votuar nga mbi 160 mijë qytetarë.
“Një proces politikisht i motivuar”
Avokatët e tij e përshkruajnë këtë çështje si “një proces të montuar me shkelje sistematike të parimeve të drejtësisë penale.” Ata paralajmërojnë se do të kundërshtojnë çdo pretendim të ngritur nga SPAK “rresht pas rreshti” në gjykatë.
“Ky është një proces që nuk i shërben as drejtësisë, as shtetit të së drejtës. Përkundrazi, rrezikon të dëmtojë besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë dhe rendi kushtetues,” thuhet në deklaratë.
Veliaj dhe përfaqësuesit e tij ligjorë nënvizojnë se nuk do të ndalen derisa të rrëzojnë çdo akuzë dhe të vërtetojnë, sipas tyre, pafajësinë e plotë të Kryetarit të Bashkisë. /VERSUS /







