Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë së Lezhës, Arben Nasufi, ka dhënë detaje lidhur me atentatin e rëndë ku humbën jetën Kreshnik Mujeci dhe bashkëshortja e tij.
Sipas Nasufit, automjeti tip “Audi Q7” me të cilin po udhëtonin viktimat është qëlluar me breshëri armësh zjarri gjatë lëvizjes.
Ai e ka cilësuar ngjarjen si shumë të rëndë, ndërsa ka konfirmuar se të dy personat kanë humbur jetën në vend.
Nasufi bëri me dije gjithashtu se nën drejtimin e Prokurorisë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon intensivisht në terren për sigurimin e provave dhe zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes.
“Është konstatuar se gjatë lëvizjes së një mjeti, ai është qëlluar me breshëri armësh. Mjekët kanë konfirmuar për humbjen e jetëve të dy personave, një burrë e një grua. Lajmi është shumë i rëndë. Nën drejtimin e prokurorit është ngritur grupi hetimor, po kryhen të gjitha veprimet operative në terren. Po punojmë intensivisht, po fiksojmë çdo provë në vendngjarje, me qëllim hetimin e plotë, zbardhjen e të gjithë dinamikës dhe zbulimin e autorëve dhe vënien e tyre para përgjegjësisë”, tha mes të tjerash Nasufi./Versus.al


