AKTUALITET /

Austriakët e shpëtuan nga robëria në të cilën e mbante restoranti në Tiranë, ngordh pas 3 vitesh ariu Mark!

Marku u shpëtua në vitin 2022 nga një kafaz i vogël pranë restorantit “Sofra e Ariut” në Rrugën e Elbasanit, ku ushqehej me mbeturinat që i jepnin klientët dhe kishte arritur të fitojë peshë të tepërt, gjë që solli probleme të shumta shëndetësore.

Shkruar nga Versus
Austriakët e shpëtuan nga robëria në të cilën e
Ariu Mark

Organizata për mirëqenien e kafshëve, “Four Paws”, ka njoftuar me trishtim se ariu Mark, i cili u shpëtua tre vite më parë në Shqipëri, ka ngordhur në Austri.

Kushtet e vështira në të cilat ishte mbajtur në Tiranë dhe problemet shëndetësore të grumbulluara gjatë kohës kanë rezultuar fatale.

Marku u shpëtua në vitin 2022 nga një kafaz i vogël pranë restorantit “Sofra e Ariut” në Rrugën e Elbasanit, ku ushqehej me mbeturinat që i jepnin klientët dhe kishte arritur të fitojë peshë të tepërt, gjë që solli probleme të shumta shëndetësore.

Pas shpëtimit, Marku gjeti paqe në BEAR SANCTUARY Arbesbach (BÄRENWALD Arbesbach), ku jetoi tre vite të bukura. Ai eksploroi shtëpinë e tij të re dhe u kujdes nga ekipi i përkushtuar i “Four Paws”.

"Pavarësisht gjithë dashurisë dhe kujdesit nga ekspertët, shëndeti i Markut vazhdoi të përkeqësohej. Pas konsultimeve të menduara mirë, morëm vendimin e dhembshur për ta lënë të shkonte.

Historia e Markut preku kaq shumë zemra. Ai ishte i butë dhe do të jetojë përgjithmonë në kujtimet tona. Nuk do të të harrojmë kurrë, shpirt i ëmbël", shkruan organizata e mirëqenies së kafshëve.

Ariu Mark ishte i njëmbëdhjeti dhe i fundit që mbahej në kafaz në Shqipëri, te restoranti “Sofra e Ariut”, dhe u transferua në një strehë për arinj në Arbesbach – një qytezë e vogël në Austri të Poshtme – për të kaluar vitet e mbetura të jetës në kushte të sigurta dhe natyrore.

Streha e arinjve në Arbesbach ofron një mjedis të sigurt dhe miqësor për kafshët e shpëtuara nga robëria që nga viti 1998. Organizata Four Paws ka shpëtuar deri tani 11 arinj në Shqipëri, ndërsa në total janë shpëtuar 30 arinj të tjerë nga organizata të ngjashme.

Poll