
Avokati i Popullit ka publikuar një raport që evidenton shkelje të të drejtave të ish-presidentit Ilir Meta gjatë qëndrimit të tij në burg. Sipas dokumentit, gjatë periudhës 26 tetor 2024 – 18 gusht 2025, Meta ka kryer mbi 3,000 telefonata dhe 172 takime, përfshirë me familjarë, avokatë dhe persona të tjerë.
Nga të dhënat e raportuara, ai është takuar 118 herë me avokatët e tij, 3 herë me noterë, 49 herë me familjarë dhe 2 herë me persona jashtë familjes. Gjatë qëndrimit në qeli, Meta ka paraqitur ankesa për trajtim çnjerëzor, si dhe për kufizime në komunikimin dhe takimet me të afërmit dhe miqtë e tij.
Avokati i Popullit ka konstatuar disa shkelje ligjore nga Drejtoria e Burgjeve në rastin e Metës, duke përfshirë: kufizimin e vizitave familjare, ndalimin e vizitave konfidenciale, pengesa në komunikimin e të burgosurve me median, si dhe ndalimin e vizitave konfidenciale me deputetë dhe eurodeputetë pa miratimin e prokurorit, gjë që bie ndesh me ligjin dhe standardet ndërkombëtare.
Problemet u përshkallëzuan më 9 qershor 2025, kur Meta përdori kontrollin mjekësor për të bërë një telefonatë me Z. Tedi Blushi, i cili ndodhej në studio televizive. Një episod i ngjashëm ndodhi më 1 korrik me avokatin Kujtim Cakrani. Si pasojë, Meta u kufizua në takimet me Blushin dhe u përjashtua nga aktivitetet sportive brenda burgut.
Në përfundim, Avokati i Popullit ka dhënë disa rekomandime për Drejtorinë e Burgjeve, duke kërkuar rishqyrtim të menjëhershëm të kufizimeve të takimeve dhe telefonatave të Metës. Disa nga rekomandimet kryesore janë:
Heqja e menjëhershme e ndalimit të komunikimit me Z. Tedi Blushi.
Sigurimi që të burgosurit të mund të kryejnë më shumë se 4 vizita në muaj kur ka nevoja të veçanta familjare, publike ose sociale.
Zbatimi korrekt i Ligjit nr. 81/2020 për vizitat konfidenciale me deputetë dhe eurodeputetë.
Kufizimi i telefonatave vetëm me vendim të prokurorit ose gjykatës.
Eliminimi i pengesave jo ligjore për komunikimin e të burgosurve me median.

