Një dosje shpërthyese hetimore e Prokurorisë së Fierit ka tronditur themelet e një prej kompanive më të mëdha të hidrokarbureve që operojnë në Shqipëri. “Bankers Petroleum Albania Ltd”, koncesionari kryesor për nxjerrjen e naftës në vend, akuzohet për një skemë të qëllimshme mashtrimi tatimor, e cila dyshohet të ketë sjellë një dëm kolosal prej 244 milionë lekësh ndaj buxhetit të shtetit.
Sipas burimeve nga organi i akuzës, të cilat janë në fazën e fundit të përgatitjes së referimit të çështjes në SPAK, hetimet kanë zbuluar një model të përsëritur dhe të organizuar të abuzimeve, të cilat janë konsumuar në mënyrë sistematike gjatë viteve 2018 dhe 2019, duke anashkaluar kërkesat ligjore mbi TVSH-në dhe Tatimin mbi Fitimin.
TVSH e fryrë, faturime fiktive dhe “shpenzime të padukshme”
Raporti hetimor përmban të dhëna tronditëse: vetëm për periudhën janar 2018 - dhjetor 2019, kompania dyshohet se ka përfituar në mënyrë të paligjshme rimbursime TVSH-je në vlerën marramendëse të 244 milionë lekëve, duke përdorur si mekanizëm faturime të vonuara, të paverifikueshme dhe pa dokumentacionin e nevojshëm shoqërues.
Madje, në disa raste janë konstatuar tre fatura të njëpasnjëshme të lëshuara brenda të njëjtës ditë, për artikuj të së njëjtës natyrë, por pa të dhëna identifikuese, një sinjal alarmi për falsifikim të mundshëm të transaksioneve dhe qëllim të qartë për rritje fiktive të shpenzimeve.
Në aspektin fiskal, shoqëria dyshohet se ka përdorur këto skema për të ulur bazën tatimore, duke shmangur detyrimin ligjor për Tatimin mbi Fitimin në një shumë që kap vlerën e 5.1 miliardë lekëve, në dëm të drejtpërdrejtë të interesit publik.
Raporti nënvizon se shkeljet nuk janë të rastësishme apo të papritura, por të përsëritura ndër vite, pavarësisht vërejtjeve të vazhdueshme të AKBN-së dhe auditimeve paraprake, çka forcon dyshimin se kemi të bëjmë me një mashtrim të qëllimshëm dhe të koordinuar.
“Veprimet aktive dyshohet se janë ndërmarrë me dashje dhe me qëllim mashtrimin e autoriteteve shtetërore për përfitime të padrejta,” thuhet në dokumentin hetimor.
Një tjetër element flagrant në dosje është faturimi i shërbimeve “Stand-by”, ku kompania ka deklaruar 100% shërbime në ditëgadishmëri, pa kryer asnjë punë reale në terren, ndërkohë që ka vijuar të lëshojë fatura dhe të kërkojë rimbursime nga shteti, si të ishte duke operuar normalisht.
“Faturimi i ditëve pezull nuk është kryer në funksion të aktivitetit për të cilin është parashikuar shoqëria. Përkundrazi, ka qenë një mekanizëm për të justifikuar shpenzime fiktive dhe për të nxjerrë përfitime në mënyrë të padrejtë,” thonë hetuesit.
Dosja drejt SPAK
Prokuroria e Fierit ka arritur në përfundimin se ka dyshime të bazuara në prova për kryerjen e veprës penale “Fshehja e të ardhurave”, e kryer në bashkëpunim. Po hetohet gjithashtu mundësia e përfshirjes së shoqërive të tjera që kanë bashkëpunuar në këtë skemë tatimore. Në këto kushte, Prokuroria po shqyrton mundësinë kalimin e dosjes në kompetencë të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për shkak të përmasave të mëdha të dëmit financiar dhe dyshimeve për veprime kriminale të organizuara.







