AKTUALITET /

"Bashkitë do të japin me qira zonat e gjuetisë", ministria nxjerr projektligjin për konsultim publik

Shkruar nga Versus

"Bashkitë do të japin me qira zonat e gjuetisë",

Ministria e Mjedisit ka nxjerrë për konsultim publik një projektvendim që përcakton procedurat për dhënien në përdorim të zonave të gjuetisë, mbarështimit dhe ripopullimit të faunës së egër nga njësitë e vetëqeverisjes vendore. Në relacionin që shoqëron këtë projektvendim thuhet se ka për synim që të bëhet një unifikim i procedurave që ndjekin sot njësitë vendore.

Sipas draftit, bashkitë ku janë miratuar zona të tilla do të duhet të nisin procedurat e konkurrimit publik brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e akteve për shpalljen e tyre. Kryetari i bashkisë do të ngrejë me urdhër një komision të posaçëm për ndjekjen e procedurave të konkurrimit.

Projektvendimi parashikon që njoftimi për dhënien në përdorim të zonave të publikohet në Buletinin e Njoftimeve Zyrtare, në faqen zyrtare të bashkisë dhe në ambientet e saj për të paktën 30 ditë. Njoftimi duhet të përmbajë informacion mbi autoritetin qiradhënës, datën e zhvillimit të konkurrimit, sipërfaqen e zonës, inventarin e faunës së egër, kuotat e përafërta vjetore të gjuetisë dhe vlerën fillestare të qirasë.

Dokumenti përcakton se subjektet pjesëmarrëse duhet të dorëzojnë dokumentacion që provon përmbushjen e kritereve të ligjit nr. 89/2025 “Për gjuetinë”, përfshirë plan biznesi për menaxhimin e zonës, plan vjetor përdorimi të faunës së egër, dokumente mbi kapacitetet teknike dhe personelin e kualifikuar, si dhe vërtetime për detyrimet tatimore dhe gjendjen gjyqësore.

Drafti kërkon që çdo subjekt të ketë të paktën një specialist me arsim të lartë në fusha të biodiversitetit, si pylltari, biologji ose veterinari.

Vlerësimi i ofertave do të bëhet përmes një sistemi pikëzimi me katër komponentë: plotësimi i kritereve dhe dokumentacionit (20 pikë), plani i biznesit dhe përdorimit vjetor (30 pikë), kapacitetet teknike dhe profesionale (25 pikë) dhe oferta financiare (25 pikë).

Komisioni do të hartojë raportin e vlerësimit brenda tre ditëve nga zhvillimi i konkurrimit, ndërsa kryetari i bashkisë do të shpallë fituesin brenda pesë ditëve pune nga përfundimi i vlerësimit. Subjektet konkurruese do të kenë të drejtë ankimi brenda shtatë ditëve kalendarike nga shpallja e fituesit.

Sipas projektvendimit, kontrata e qirasë do të lidhet për një afat pesëvjeçar dhe duhet të nënshkruhet jo më vonë se fillimi i sezonit të gjuetisë.

Drafti përcakton gjithashtu se vlera e qirasë për zonat e gjuetisë nuk mund të jetë më e ulët se vlera fillestare e përcaktuar në dokumentacionin e konkurrimit. Për zonat e mbarështimit dhe ripopullimit që administrohen nga menaxhuesi i zonës së gjuetisë, qiraja do të përfshihet në kontratën e zonës së gjuetisë. Monitor.al

Poll