
Eurodeputeti Fredi Beleri, i cili më zgjedhjet lokale të vitit 2023 fitoi garën si kreu i Bashkisë së Himarës, por nuk mund ta gëzonte mandatin për shkak se u arrestua dhe u dënua pasi u kap duke blerë vota, ka hedhur akuza për Gjykatën Kushtetuese.
Gjatë një interviste televizive, Beleri tha se Gjykata Kushtetuese vepron me standard të dyfishtë, pasi lejoi që Erion Veliaj të merrte mandatin, ndërsa atë nuk e lejoi të merre detyrën si kryebashkiak.
“Regjimet, edhe kur i humbasin zgjedhjet, e mbajnë pushtetin me çdo mënyrë. Siç po e mban qeveria tani edhe Bashkinë e Tiranës, në shkelje të vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Problemi kryesor i Shqipërisë është gjyqësori me regji. Ka dy standarde. Ka moszbatim të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese.
E njëjta gjykatë për mua tha të mos e marr mandatin, për zotin Veliaj tha që duhet t’i ngelet mandati. Nuk prevalon e drejta e qytetarëve për t’u qeverisur nga ai që zgjedhin. Çfarë demokracie është kjo?”, deklaroi Beleri.
