AKTUALITET /

Beleri nis betejën ligjore 2 javë pasi doli nga burgu! Kërkon pafajësi në Gjykatën e Lartë

Beleri pretendon se i gjithë procesi i tij ishte i fabrikuar dhe se nuk është kapur në flagrancë duke blerë vota.

Shkruar nga Versus
Beleri nis betejën ligjore 2 javë pasi doli nga burgu! Kërkon
Fredi Beleri pasi u lirua nga qelia

Tiranë- Dy javë pasi u lirua me kusht nga qelia e burgut të Fierit, ku vuante dënimin prej 2 vitesh burg për blerjen e 8 votave me 40 mijë lekë në zgjedhjet e Himarës, Fredi Beleri ka dorëzuar në gjykatën e Lartë një rekurs për vendimin e GJKKO-së ku kërkon shpalljen e tij të pafajshëm.

Sipas tij, nuk ka kryer korrupsion zgjedhor në zgjedhjet lokale të Himarës më 14 maj të vitit të kaluar.

Më 2 shtator, gjykata e Fierit pranoi kërkesën e bërë nga avokati i Belerit pas tri seancash të dështuara, duke vendosur lirimin e tij me kusht me argumentin se ka kryer 2 të tretat e dënimit.

Kujtojmë se Beleri u arrestua më 12 maj të vitit të kaluar, 2 ditë para zgjedhjeve vendore të 14 majit pasi u kap në flagrancë duke blerë 8 vota kundrejt shumës prej 40 mijë lekësh. Ai u shpall fitues në zgjedhjet që u mbajtën 2 ditë më vonë por nuk arriti të bënte betimin pasi ishte në paraburgim. Pavarësisht kërkesave për t’u betuar, GJKKO nuk e pranoi diçka të tillë, duke bërë që në korrik të këtij vitit KQZ të shpallte të pavlefshëm mandatin e tij dhe të organizonte zgjedhjet e parakoheshme në Himarë më 4 gusht, fitues i të cilave doli kandidati i PS Vangjel Tavo.

Pasi doli nga burgu, Beleri paralajmëroi se do ta ndiqte dënimin e tij deri në Gjykatën Evropiane duke pretenduar se i ishte shkelur prezumimi i pafajësisë dhe se akuzat ndaj tij për arrestim në flagrancë, kanë qenë të pavërteta. Versus.al

Poll
Më poshtë do të gjeni dhe kandidatët e Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike për të gjitha qarqet: