Gjykata e Tiranës ka caktuar masat e sigurisë ndaj Deni dhe Kejni Selimllarit, dy vëllezërve që akuzohen për dhunën ndaj një efektivi policie dhe dëmtimin e derës së komisariatit.
Mësohet se Deni Selimllari është lënë nën masën arrest me burg, ndërsa vëllai i tij 18 vjeçari Kejni Selimllari është liruar dhe ndaj tij është caktuar masa “detyrim paraqitje”.
Mëngjesin e 4 tetorit, të rinjtë ndodheshin në një lokal nate në Bllok, në gjendje të dehur, kur nisën të bërtisnin dhe të shqetësonin klientët e tjerë dhe stafin. Sipas burimeve policore, kamarierët janë detyruar t’i nxjerrin jashtë për shkak të sjelljes së tyre agresive, por edhe jashtë lokalit, vëllezërit kanë vijuar me britma, zhurma dhe ofendime në rrugë.
Një efektiv policie, i cili ndodhej pranë vendngjarjes, është përpjekur të ndërhyjë për të qetësuar situatën, por është sulmuar fizikisht nga të rinjtë. Ata e kanë ofenduar dhe më pas e kanë goditur me grushte efektivin, duke e detyruar Policinë të kërkojë përforcime.
Në vendngjarje mbërriti patrulla e komisariatit nr.2 e cila i shoqëroi të rinjtë në polici. Por edhe pas shoqërimit, djemtë e Valbona Selimllarit shfaqën sjellje agresive dhe thyen kamerën e sigurisë dhe dëmtuan derën e dhomës së shoqërimit. Gjatë këtyre veprimeve të dhunshme, kanë kërcënuar edhe efektivët e policisë. Versus.al