AKTUALITET /

Bëri ndërhyrje dentare, ndërron jetë i moshuari italian në Tiranë! Burime: Ishte me tumor në mëlçi dhe nuk tregoi

Një shtetas italian, 63 vjeç, ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në repartin e reanimacionit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, pas komplikacioneve të dyshuara që pasuan një ndërhyrje dentare në një klinikë private.

Shkruar nga Versus

Bëri ndërhyrje dentare, ndërron jetë i moshuari italian

Tiranë- Një shtetas italian, 63 vjeç, ndërroi jetë mëngjesin e sotëm në repartin e reanimacionit të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në Tiranë, pas komplikacioneve të dyshuara që pasuan një ndërhyrje dentare në një klinikë private.

Sipas të dhënave zyrtare, më 20 maj, italiani me inicialet D. S., i cili kishte mbërritur përkohësisht në Shqipëri për trajtim dentar, iu nënshtrua një ndërhyrjeje për mbushjen e tre dhëmballëve në një klinikë dentare në Rrugën e Kosovarëve. Dy ditë pas procedurës, ai është paraqitur në QSUT me ambulancë, pasi kishte shfaqur shqetësime shëndetësore.

Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, pacienti humbi jetën mëngjesin e kësaj të shtune. Burime nga spitali bëjnë me dije se shkaku paraprak dyshohet të jetë një hemorragji në mëlçi, ndërsa pritet që ekspertiza e mjekësisë ligjore të përcaktojë zyrtarisht shkakun e vdekjes.

Policia ka nisur hetimet dhe ka marrë në pyetje administratorin dhe dentistin e klinikës ku u krye ndërhyrja. Burime nga hetimi bëjnë me dije se klinika ka vënë në dispozicion pamjet nga kamerat e sigurisë, të cilat sipas tyre tregojnë se procedura dentare ka kaluar pa komplikacione. Gjithashtu, mësohet se pacienti nuk kishte raportuar probleme të mëparshme shëndetësore.

“Më datë 22.05.2025, ka shkuar për mjekim në spital shtetasi italian D. S., 63 vjeç, me banim të përkohshëm në Tiranë, pasi dyshohet se pas një ndërhyrjeje kirurgjikale më datë 20.05.2025, në një klinikë dentare në Rrugën e Kosovarëve, nuk është ndier mirë. 63-vjeçari, pavarësisht ndihmës mjekësore të marrë, ka ndërruar jetë mëngjesin e sotëm. Specialistët për Hetimin e Krimit në Komisariatin e Policisë Nr. 2 kanë kryer veprimet e para hetimore, ku i kanë marrë deklarim administratorit dhe dentistit të klinikës", thuhet në njoftimin zyrtar të Policisë së Shtetit.

Ky është rasti i dytë brenda dy ditëve që një pacient humb jetën pas një ndërhyrjeje mjekësore. Kujtojmë se më 22 maj, Valbona Xha Zejno ndërroi jetë në Durrës pas një operacioni për ngushtim stomaku në spitalin privat “Villa Alba”. Një rast tjetër i ngjashëm në një klinikë mjekësore në Tiranë ka qenë edhe rasti i Simone Del Vecchio i cili hoqi 20 dhëballë për një ditë dhe për pasojë pësoi arrest kardiak duke qëndruar 8 muaj në gjendje kome. Versus.al

Poll