Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u paraqit sot në SPAK në zbatim të masës ‘detyrim paraqitje’, por refuzoi të merrte pjesë në gjyqin që kishte nisur në GJKKO për aferën “Partizani” duke u shprehur se ndjek këshillat e avokatëve të tij.
Gjatë deklaratës për mediat ai nuk ngurroi të përsëriste pretendimet për dënimin e gjyqtares që e la për rreth 1 vit në arrest shtëpie, Irena Gjokën. Ndërsa hodhi edhe akuza ndaj kreut të SPAK, Altin Dumanit se ka marrë 700 mijë euro ryshfet nga i shumëkërkuari Altin Hajri i cili dyshohet për vrasjen dhe zhdukjen e Jan Prengës në 2020-ën në kompleksin “Golden”.
“E garantoj Altin Troplinin se dekonspirimi që ai i ka bërë dhe mbajtja në xhep e mandat arrestit ndërkombëtar për Ndrecën, do të ketë për të pasoja, do ta ndjekë atë gjithë jetën. Sepse me këtë person ai amnistoi apo i dha mundësisë të largohej kreut të kartelit më të rrezikshëm të drogës në Europë që disponon portin e Durrësit dhe që është akoma në funksion njësoj siç ishte, Troplinëve.
Përveç kësaj dënoj këtu implikimin e tij të padiskutueshëm në aferën Hajri. Është thënë në atë kohë se Altin Hajri i ka paguar Dumanit 700 mijë euro, dhe sot për prerjen copa-copa të trupit të Jan Prengës dënohet një kamerier dhe roja. Kurse Altin Troplini, Altin Hajri merr leje për hotele dhjetëkatëshe nga Edi Rama dhe dërgohet këto ditë në gjykatë nga avokati i tij, Altin Troplini. Pra, siç e shihni, kemi të bëjmë me një person të kapur kokë e këmbë nga krimi. Por ne zotohemi se do të qëndrojmë me forcën më të madhe në denoncimin e tyre”- deklaroi Berisha mes të tjerash. Versus.al







