
Prokuroria e Posaçme ka marrë në pyetje këtë të premte si person nën hetim Kristjan Shkrelin kryetarin e Bashkisë Vau i Dejës per veprën penale “korrupsion aktiv në zgjedhje”.
Bëhet fjalë për zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Ai ka qëndruar rreth 1 orë në ambientet e SPAK dhe është marrë në pyetje nga prokurori Dritan Prençi.
Pak kohë më parë, me urdhër të SPAK dhe vendim të GJKKO iu sekuestrua aparati celular nga agjentët e BKH në kuadër të hetimeve që po kryen organi akuzës për kryebashkiakun socialist.
Ndërsa vetë Rama duket se diçka kishte kuptuar nga sjellja e kryebashkiakut Shkreli të cilit gjatë një takimi elektoral me qytetarët në fushatën e zgjedhjeve të 11 majit, iu drejtua kryebashkiakut me fjalët “Kristian mos luaj me dy porta”. Pasi SPAK tashmë po e heton Shkrelin, u kuptua se bëhet fjalë për përfshirjen e këtij të fundit në ndihmë të PSD-së që mori dy mandate në Shkodër. Versus.al







