Një rrjet i errët fajdesh, ku paratë e dhëna ktheheshin në borxhe të rrezikshme nën kërcënimin e dhunës, është zbuluar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore në një operacion të koduar “Last rent”.
Mes personave të përfshirë, edhe një punonjës i Policisë; Nënkomisari Edison Pemaj, specialist i Hetimit të Krimeve në Seksionin e Narkotikëve në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, i arrestuar për “shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë”.
Hetimet e thella, të mbështetura nga metodat speciale, zbuluan se polici kishte ndërtuar një 'biznes' ilegal fajdesh, ku hua jepeshin me dorën e parë, por kthimi i parave kërkohej me forcë, nëpërmjet kërcënimeve dhe dhunës.
Efektivi dyshohet se i kishte dhënë shtatë mijë euro borxh një shtetasi që jepte makina me qira dhe pas kësaj i thoshte se “paratë ishin me fajde”. Shtetasi që jepte makina me qira denoncoi në AMP-në dhe tregoi se si po kërcënohej, ndërsa pretendoi se çdo muaj jepte deri në 2 mijë euro nënkomisarit.
Çështja po hetohet ende, teksa Edison Pema mohon të ketë kërcënuar biznesmenin, që merrej me tregtinë e mjeteve me qira.
Gjatë bastisjeve të zhvilluara, policia sekuestroi pesë makina luksoze, të cilat dyshohet se ishin pasuri të lidhura me këtë rrjet kriminal fajdesh dhe që i ishin marrë kientëve të fajdeve në pamundësi të kthimit të borxhit me pqërqindje që kishin marrë tek nënkomisari i Policisë dhe personat e tjerë e dyshuar si të lidhur me të. Autoritetet vijojnë punën e tyre për të ndjekur çdo fijë të këtij rrjeti, duke u përpjekur të zbulojnë e vënë përpara përgjegjësisë penale të gjithë personat që fshihen pas kësaj skeme.







