
Bosit turk Veysel Sahin, i cili ka ngritur një rrjet firmash që operon në botën e errët të call centerave, i janë bllokuar në Shqipëri 500 mln dollarë.
Sahin njihet në mbarë botën, sidomos në vendlindjen e tij Turqinë, si një individ i rrezikshëm, ndaj të cilit janë ngritur disa akuza të rënda penale.
Kohët e fundit i janë bllokuar apo ngrirë gjysëm miliardi euro, pasi ka dyshime se ai është i lidhur me një rrjet të madh të lojërave të fatit.
Sipas disa mediave ndërkombëtare apo turke, një nga kompanitë më të mëdha që operon në kripto valutë, Tether, i ka bllokuar Sahinit plot 500 milionë USD amerikanë, në asete dixhitale.
Sipas këtyre mediave, këto para janë të lidhur me një rrjet të madh të lojërave të fatit të paligjshme dhe pastrimit të parave në Turqi.
“Prokurorët turq e akuzojnë Sahin për drejtimin e një rrjeti të madh për baste të paligjshme. Ky është një nga sekuestrimet më të mëdha individuale të aseteve deri më tani në industrinë e kriptovalutave”, thuhet në këto media.
Madje, shefi i kësaj kompanie, Ardoino, shtoi se tashmë Tether po bashkëpunon me autoritetet ndërkombëtare për bllokimin e të gjitha aseteve. “Autoritetet na kontaktuan, na dhanë informacion, ne i pamë informacionet dhe vepruam sipas ligjeve të vendit. Dhe kështu veprojmë, kur bashkëpunojmë me FBI-në dhe të gjithë të tjerët”, tha ai.
Dyshimet janë se Veysel Sahin ka krijuar në disa vende një rrjet kompanish që merren me Call Centera, ndër to edhe Shqipëria, duke i futur këto para në kriptovaluta. Por, me këtë bllokim, duket se Sahinit po ngushtohet laku, të paktën në vendlindje dhe në shtetet europiane, ndërkohë që në Shqipëri vijon të veprojë dhe të xhurojë dhjetëra miliona euro, sërish me të njëjtën aktivitet.
Veysel Sahin, është një shtetas turk i akuzuar, arrestuar, hetuar, gjykuar e dënuar në vendlindje për mashtrime me shuma të mëdha.
Paratë që ka fituar në aktivitetet e paligjshme në Turqi, apo edhe në disa vende të tjera, po i pastron lehtësisht në Shqipëri.
Madje, ai shihet shumë shpesh në kazinotë luksoze në Shqipëri, ku xhiron miliona euro. “Dora” e tij është tepër e lartë, teksa edhe menaxherët e këtyre kazinove, e kanë cilësuar si më “VIP”-in në Shqipëri. Në një natë, ai mund të harxhojë qindra mijëra euro, për të mos thënë miliona euro. Paratë i ka “kesh”, nga të ardhurat nga një mori kompanish guackë që ka krijuar në Shqipëri.
Mashtrimet e nisura në vendlindje, Turqi, “Veseli” i ka transferuar në Shqipëri, teksa ka arritur që të ketë edhe një “urë” lidhëse mes politikanëve turq dhe atyre shqiptarë. Nëpërmjet lidhjeve që ka krijuar, normalisht me pagesa miliona euro nëndorë, turku jeton dhe punon i lirë, duke kënaqur këdo që e mbron dhe i jep mundësinë që të shtojë pasurinë.
Në pritje të licencës për bastet online, turku i është futur me “kokë” mashtrimeve me call centera apo edhe me mashtrime online.
“Nga këto call centera, ai merr të dhënat e shtetasve nga Europa, apo edhe nga Shqipëria, dhe më pas nis mashtrimet me bursat. Është një aktivitet i paligjshëm dhe askush nuk vepron. Ka krijuar edhe gjoja karta bankare online, por pa pasur një licencë nga Banka e Shqipërisë. Të gjitha mashtrime dhe askush nuk vepron” pohojnë të njëjta burime.
Vox Neës ka mësuar se turku po synon edhe një llokmë të madhe; licencën për baste online. Një ligj i miratuar në fund të vitit 2023, i cili ka hyrë në fuqi në muajin prill 2024 por ende s’është implementuar. Arsyeja është se, lobimet e fuqishme nga të gjitha anët, sidomos nga bota e krimit, kanë sjellë bllokimin e emërimit të anëtarëve të komisionit ndërministror.
Politikanët e fuqishëm që qëndrojnë pas këtyre biçim biznesmenëve, ndër të cilët edhe “Veseli”, po lobojnë shumë fort që të fusin në ato komisione njerëzit e tyre.
Në atë tavolinë janë plot 10 licenca, ku gjysma duket se është e paracaktuar për aktorët që janë aktualisht në treg dhe kanë kazino fizike, ndërkohë që gjysma po lobon fort, ose më saktë është hapur një ankand. Deri më tani, turku është në krye me ofertën në këtë ankand, i cili ka futur për lobim grupe të mëdha interesa.
Vox Neës ka mësuar se Veysel Sahin ka futur në “lojë” kompani guacka që veprojnë në Qipron Turke. Objekti i kompanive është i njëjtë me atë që ai vetë u hetua dhe u dënua në vendin e origjinës. Por, ka ndryshuar “pronarët” dhe “administratorët” me letra të këtyre kompanive, duke futur edhe emra anglezë apo europianë, për t’a bërë sa më të besueshëm për qeverinë shqiptare.
Sipas mediave turke, në vitin 2017 u ndërmor një aksion në Turqi dhe Qipron Veriore, duke vënë në pranga 17 persona. Në pranga ra edhe “Veseli”, i cili akuzohej për baste të paligjshme në Stamboll, Izmir dhe Bodrum. Sahini u akuzua si kreu i kësaj organizate, që bastet e paligjshme i realizonte online. Ka dyshime se grupi ka pastruar paratë në ndërtim dhe resorte, duke investuar dhjetëra miliona euro të ardhura nga bastet, teksa ka pasur dyshime se “Veseli” ka pastruar edhe para nga trafiku i drogës.

