
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka rihapur tenderin me vlerë 5.3 milionë euro për ndërtimin e IEVP Kukës, procedurë të cilën e anuloi pak ditë më parë.
VoxNews ka hulumtuar dokumentet e këtij tenderi, ku muaj më parë u hap, u shpall fituesi dhe më pas çuditërisht u anulua. Por, më shumë sesa e gjithë procedura, tepër e dyshimtë mbetet mosveprimi i Drejtorisë së Burgjeve, ku deri më tani kanë “heshtur” përballë këtij skandali.
Mosveprimet kanë sjellë një mbrojtje për firmën “Salillari”, e cila u shpall edhe fituese, ndërsa nuk ka asnjë informacion nëse kësaj firme i është mbajtur garancia apo nëse juristët e Burgjeve kanë hasur ndonjë parregullsi.
Më flagrante është mos nisja e ndonjë hetimi administrativ apo penal, qoftë për zyrtarët e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve ashtu edhe për firmën mjaft të preferuar të mazhorancës, e cila i ka dhënë Pëllumbit të Skraparit miliona euro, pasuri të stërmëdha publike, koncesione apo edhe parqe fotovoltaike.
Ka dyshime të mëdha se tërheqja dhe anulimi i tenderit është bërë me “urdhër nga lart”, me qëllim që në procedurën e re të konkurrojë ndonjë “satelit” i Pëllumbit, njëjtë siç veproi me koncesionin e Triportit apo edhe me ankandet e parqeve fotovoltaike në Fier, ku megjithëse s’ka asnjë me emrin “Salillari”, automjetet e tij kanë pushtuar zonën e Semanit dhe Darëzezës.

Sipas dokumenteve që disponon VoxNews, Burgjet kanë rihapur tenderin e shumë diskutuar për ndërtimin e IEVP Kukës. Mësohet se fondi është i njëjtë 528,385,376 lekë pa TVSH, ku synohet që me kaq para’ të bëhet “projektimi dhe ndërtimi i IEVP Kukës”, e klasifikuar në nivelin “i kufizuar”.
“Qëllimi i këtij investimi është hartimi i projektit sipas fazave, nxjerrja e lejeve përkatëse, realizimi i punimeve të ndërtimit dhe dorëzimi i objektit të përfundur me ‘çelësa në dorë’. Kohëzgjatja e kontratës ose afati kohor për ekzekutimin për projektim dhe zbatim 24 muaj (për zbatimin 18 muaj)” thuhet në këto dokumente.

Disa ditë më parë, VoxNews publikoi ekskluzivisht dokumentet e tenderit për anulimin e tenderit për ndërtimin e IEVP Kukës. Në fakt, në datën 12 maj 2025, një ditë pas zgjedhjeve parlamentare, Klevis Qose, firmosi tenderin e majmë në favor të firmës “Salillari”.
Vetëm pas 2 muajsh, e njëjta drejtori ia ka anuluar në mënyrë të beftë, duke ngritur shumë pikëpyetje për të gjithë procedurën. “A ka mashtruar firma në fjalë për dokumentet e paraqitura? A mos vallë ka paraqitur të dhëna të rremë? Përse ishte e vetme në garë?” ngriti disa pyetje redaksia jonë.
Duket se tenderi ishte një “shpërblim” për Salillarin për angazhimin në zgjedhje. Por, denoncimet e mëvonshme dhe kapja e tij e shtetarëve, ka sjellë një ndryshim kursi, ku tashmë Salillari po mendon njëjtë si oligarkët. Ai nuk futet vetë në tendera, por fut kompani “satelite”, të hapura nga krushqit apo edhe nipërit. Një skemë që ndodh rëndom, ku ka dyshime se mund të përsëritet edhe në tenderin e ndërtimit të burgut në Kukës.







