Një qytetar nga Elbasani ka ngritur një shqetësim për JOQ, duke denoncuar një situatë absurde që po u ndodh shumë qytetarëve që kanë blerë motorë elektrikë.
Sipas mesazhit të dërguar, policia në Elbasan ka nisur të ndalojë dhe të kërcënojë me sekuestro pronarët e motorëve elektrikë të patarguar. Problemi qëndron në faktin se qytetarët nuk janë në gjendje të marrin targa, pasi dyqanet ku i kanë blerë motorët nuk u kanë dhënë asnjë dokument përveç faturës së blerjes.
“Këtu policia ka filluar të ndalojë e kërcënojë me sekuestro të motorëve elektrikë që janë në qarkullim. Një prej tyre jam edhe unë.Pasi më rekomanduan për targimin e motorrit që kam blerë tek BUZI STORE, unë, si shumë të tjerë, shkova ta kryej këtë gjë. Por punonjësi më refuzoi sepse kërkonte dokument zhdoganimi etj., ndërkohë që dyqani më ka dhënë vetëm faturën e blerjes. Buzi nuk merr përsipër asgjë…As targuesi nuk merr përsipër asgjë…Si do bëjmë ne?! As e kemi vjedhur e as kemi bërë kontrabandë!” – shkruan qytetari.
Në këto kushte, qytetarët ndodhen në një “kurth burokratik”: nuk mund të vendosin targa pa dokumente që nuk i kanë marrë kurrë, ndërkohë që rrezikojnë sekuestrimin e mjeteve nga policia.
Sipas ligjit, edhe mjetet elektrike me shpejtësi mbi 25 km/orë dhe fuqi të caktuar duhet të regjistrohen dhe të pajisen me leje drejtimi. Por në mungesë të dokumenteve si numri i shasisë apo certifikata e zhdoganimit, shumë qytetarë janë në ngërç dhe pa rrugëzgjidhje./JOQ







