Këto janë tre viktimat fatkeqe të aksidentit tragjik rrugor të ndodhur orët e para të ditës së sotme në aksin “Gjirokastër-Tepelenë”, në vendin e quajtur “Bypass”. Në këtë aksident të rëndë kanë humbur jetën Klejdi Myftari, 24 vjeç, dhe Anxhelo Ruçi, 27 vjeç, dy të rinj që po udhëtonin me një automjet tip “Volkswagen” me targa AB797VP. Të dy ata kanë ndërruar jetë si pasojë e plagëve të marra nga përplasja e fuqishme.
Por tragjedia ka prekur më shumë se kaq. Anxhelo Ruçi, një nga viktimat, është nipi i ish- kryeparlamentarit Gramoz Rucit, një nga politikanët më të njohur të vendit.
Në aksident ka qenë i përfshirë edhe një tjetër mjet tip Mercedes Benz, ku udhëtonin Martin Dulaj, 25 vjeç, i cili ka humbur jetën në vendngjarje, dhe Arsida Demiri, 19 vjeç, e fejuara e tij, e cila është transportuar në gjendje të rëndë shëndetësore në Spitalin e Traumës në Tiranë. Sipas burimeve nga spitali, Arsida ka parametra jetësorë të qëndrueshëm, por ndodhet në gjendje të rëndë, duke luftuar për jetën.

