AKTUALITET /

DASH: Ambasadorja Yuri Kim nuk është pushuar nga puna

Shkruar nga Versus

 

DASH: Ambasadorja Yuri Kim nuk është pushuar nga puna

Diplomatja amerikane Yuri Kim, e cila ka shërbyer si Ambasadore e SHBA-së në Shqipëri, nuk është pushuar dje nga puna, si është njoftuar në median shqiptare.

Ndonëse është parë duke duartrokitur kolegët që patën ditën e fundit të punës dje, një traditë në disa institucione amerikane, ajo nuk ka qenë pjesë e atij kontigjenti punonjësish.

Një zëdhënës i Departamentit të Shtetit që foli për gazetën shqiptaro-amerikane “Illyria” në New York, u shpreh se Ambasadorja Kim vazhdon të jetë pjesë e administratës amerikane.

Mirëpo, ai u shpreh, se pas disa muajsh, ajo do të tërhiqet nga shërbimi diplomatik “pas një karriere të shquar 29 vjeçare”. Zëdhënësi theksoi se largimi i saj “nuk ka lidhje me riorganizimin e Departamentit”.

“Riorganizimi” që përmendi ai është një reformim i thellë që po i bën institucionit, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, e që ka çuar në eliminimin e gati 1,300 vendesh pune në Departamentin e Shtetit dhe shërbimin diplomatik nëpër botë.

Kritikët e Administratës së Presidentit Donald Trump kanë dënuar këto shkurtime duke thënë se po dëmtojnë diplomacinë amerikane në një kohë kur sfidat janë më të rënda dhe eminente. Së bashku me mbylljen e institucioneve si USAID, Zëri i Amerikës, etj, këto ndryshime po e lënë në disavantazh Amerikën përballë veprimtarisë ruse dhe kineze në vende të ndryshme të botës.

Mirëpo, Sekretari i Shtetit, Marco Rubio, thotë se një pjesë e madhe e aktivitetit ndërkombëtar të institucioneve tona ishte përqendruar në përhapjen e ideologjive të majta sesa në mbrojtjen e interesave amerikane.

Një numër punonjësish të Departamentit të Shtetit dolën në korridor dhe në hyrjen e institucionit për të përcjellë me duartrokitje një pjesë të punonjësve që mbaruan dje punën e tyre. Një prej atyre që duartrokisnin të ish-kolegët ishte edhe Ambasadorja Yuri Kim që ka shërbyer për disa vite në Shqipëri. Pamja e saj të kapura në disa kronika të medias u interpretuan në Shqipëri si provë që ajo u pushua nga puna.

Nuk është hera e parë që një lajm i tillë përhapet në median shqiptare dhe pritet me entuziazëm nga mbështetës të opozitës që fajësojnë Ambasadoren Kim për ngjarjet që çuan në shpalljen non-grata të kryetarit të opozitës kryesore në vend, Sali Berishës dhe përçarjen që vijoi duke ndarë në dy pjesë Partinë Demokratike.

Diplomatja Kim u emërua si Ambasadore në Shqipëri nga Presidenti Donald Trump gjatë mandatit të tij të parë. Pas mbarimit të mandatit si ambasadore në 2023, ka shërbyer si Zv-Asistente Kryesore e Sekretarit të Shtetit.

Ajo vijon të jetë Këshilltare e Lartë për Efikasitetin dhe Përgjegjshmërinë në Byronë e Çështjeve Europiane dhe Euroaziatike sipas një faqe të Departamentit të Shtetit në internet, e postuar në 1 mars 2025. (Illyria)

Tags:

yuri kim pune

Poll