AKTUALITET /

Deklaratat e Ramës, prokurorja Elsa Gjeli shkresë KLP-së: Sulme të papranueshme! Jam e gatshme të hetohem

Dje ministri i Drejtësisë Ulsi Manja i kërkoi ILD-së nisjen e veprimeve disiplinore për prokuroren Elsa Gjeli. Në shkresën e sotme Gjeli shprehet se me ndërhyrjen e kryeministrit i është cënuar dinjiteti dhe ka kërkuar që KLP të mbajë qëndrimin për cënimin e pavarësisë së prokurorisë.

Shkruar nga Versus
Deklaratat e Ramës, prokurorja Elsa Gjeli shkresë KLP-së: Sulme
Prokurorja e Shkodrës, Elsa Gjeli dhe kryeministri Edi Rama

Elsa Gjeli, prokurorja e Shkodrës, emri i së cilës u bë publik nga vetë kryeministri Edi Rama sa i takon mosfillimit të hetimeve për një ndërtim pa leje në Theth, i ka dërguar një shkresë KLP-së.

Në letrën e dërguar, Gjeli shpreh shqetësimin mbi situatën e krijuar ku emri i saj po lakohet vazhdimisht në media dhe ka kërkuar një reagim nga instritucioni i Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Shkresa e saj është renditur në listën e kërkesave për shqyrtim, por nuk dihet nëse kjo do të ketë vendimmarrje.

“Në përputhje me kompetencat tuaja, lutem nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, që: Të analizojë sjelljen e Kryeministrit në kontekstin e cenimit të pavarësisë së Prokurorisë dhe respektimit të ndarjes së pushteteve; Të shqyrtojë mundësinë e një deklarate zyrtare në mbrojtje të trupës së Prokurorëve nga sulme të papranueshme politike, duke theksuar se në lidhje me rastin tim individual jam e gatshme të hetohem para të gjithë organeve të drejtësisë;

Të ndërmarrë hapa institucionalë për të garantuar sigurinë dhe integritetin profesional të Magjistratëve që ndihen të persekutuar për shkak të vendimeve të tyre të pavarura. Deklaroj se jam e gatshme të paraqes çdo dokument shtesë dhe të dëshmoj personalisht për ndikimin që këto deklarata kanë pasur në mjedisin tim profesional dhe emocional”, shkruan Gjeli në letrën drejtuar KLP

Kujtojmë se dje, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja iu drejtua Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë për t’i kërkuar nisjen e veprimeve disiplinore. Më herët edhe prokuroria e rrethit të Shkodrës, ka shprehur shqetësim mbi deklaratat e bëra nga kryeministri Edi Rama, ndërsa ka pretenduar se prokurorja ka vepruar në bazë të referimit të policisë vendore. Versus.al

Poll