Marrëdhëniet mes Italisë dhe Francës janë tensionuar sërish, pas deklaratave të forta të zëvendëskryeministrit italian Matteo Salvini ndaj presidentit francez Emmanuel Macron. Autoritetet franceze i kanë cilësuar deklaratat si “të papranueshme” dhe kanë reaguar me nota zyrtare proteste, duke sjellë përplasjen në një nivel diplomatik.
Tensioni erdhi pas një dalje publike të Salvinit, ku ai akuzoi Macronin për “arrogancë politike” dhe për “shkatërrimin e Evropës”, deklarata që u interpretuan si sulm personal dhe institucional ndaj presidentit francez.
Pala franceze i kërkoi Romës të distancohet nga qëndrimet e Salvinit, ndërsa Ministria e Jashtme italiane theksoi se marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të rëndësishme, pavarësisht divergjencave politike.
Kjo nuk është hera e parë që Salvini përplaset me udhëheqësit francezë. Më herët, ai ka kritikuar qasjen e Macronit ndaj emigracionit, ekonomisë dhe çështjeve të BE-së, duke tensionuar herë pas here marrëdhëniet mes dy vendeve fqinje. /Versus.al/







