Pas denoncimeve të vazhdueshme për mungesën e ilaçeve dhe pajisjeve në Spitalin Onkologjik, në adresë të Gazetarit Osman Stafa ka mbërritur një mesazh kërcënues, me qëllim intimidimin, frikësimin dhe tërheqjen e tij nga investigimet në këtë spital.
Gazetarit Stafa i është kërkuar me një gjuhë banale, fyese dhe kërcënuese të mos paraqitet më në ambientet e Onkologjikut dhe të heqë dorë nga denoncimet mbi korrupsionin dhe abuzimet mbi pacientët.
Pas marrjes së mesazhit, gazetari i është drejtuar Policisë së Shtetit, ku ka bërë kallëzim penal, për kërcënim për shkak të detyrës. Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbuluar personin përgjegjës dhe se kush fshihet pas këtij kërcënimi.
I ndodhur përballë presioneve dhe kërcënimeve, gazetari Osman Stafa, siguron se do të vijojë denoncimet e tij për situatën në Spitalin Onkologjik.

