Ish-ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani, ka reaguar me një postim në rrjetet sociale, duke denoncuar përdorimin e të dhënave hetimore të dosjes “Agasi” për shantazhin e gjykatësve dhe prokurorëve.
Sipas Manjanit, akti përbën një krim mafioz dhe çdo gjykatës apo prokuror që lejon t’i përdoren të dhënat për të marrë vendime të padrejta duhet të dorëhiqet menjëherë nga detyra.
Manjani thekson se përdorimi ligjor i materialeve hetimore duhet të kufizohet vetëm në procesin ndaj Ergys Agasit, i cili akuzohet si kreu i grupit të strukturuar kriminal që manipulonte tenderat e AKSHI dhe kryente veprat penale “Konkurrencë e paligjshme nëpërmjet dhunës” dhe “Heqje e paligjshme e lirisë”.
Çdo përdorim tjetër, sipas Manjanit, përbën shantazh mafioz.
Në mesazhin e tij, Manjani sugjeron edhe një transparencë të plotë të materialeve video, foto dhe biseda për të garantuar drejtësi dhe për të zbardhur çdo ndikim të paligjshëm në vendimet gjyqësore, duke i cilësuar spekulantët politikë dhe mediatikë si pjesë të problemit.
Ish-ministri nënvizon se shantazhi nuk mund të zëvendësojë drejtësinë dhe se vetëm me integritet dhe përgjegjësi mund të ndërtohet një sistem i drejtë gjyqësor.
POSTIMI I YLLI MANJANIT:
Shantazhi është krim mafioz.
***
Përdorimi për shantazh i të dhënave hetimore që janë siguruar në hetimet ndaj Ergys Agasit, quhet krim. I organizuar madje në stil mafioz.
Vendimet nën shantazh janë të padrejta.
Shantazhuesi është kriminel i tipit mafioz. Kushdo që e bën ashtu quhet: mafioz.
Kujdes, shantazhi nuk është korrupsion, as ndikim i paligjshëm e as shpërdorim detyre. Këto të fundit ti puthësh e ti vësh në ballë përpara shantazhit mafioz.
Nëse është e vërtetë se me të dhënat hetimore të dosjes "Agasi" shantazhohen gjykatës e prokurorë, akti është i rëndë dhe i tipit mafioz. Edhe kur këtë gjë e bëjnë shtetarë të drejtësisë njësoj është, mafioz. Vendimet e gjykatave, ku gjykatësve të tyre u tregohet materiali shantazhues, janë të padrejta. Janë mafioze.
E kuptoj se shumë njerëz mendojnë se përse e kanë bërë veten ata gjykatës e prokurorë të shantazhueshëm. Edhe unë nuk po i justifikoj në asnjë kuptim, përkundrazi i ftoj të dorëhiqen sa më parë nga detyrat të mbajnë.
Gjyqtarë të Kushtetueses të parët.
Gjyqtarë të Vettingut, gjykatës e prokurorë që e dinë se janë të shantazhueshëm, duhet të dorëzojnë detyrën, përpara se të kapen gafil.
Por shantazhi në vetvete është akt mafioz. Shumë më i rëndë sesa e liga që mund të ketë bërë i shantazhuari.
Nuk e di se ç'video, foto apo biseda telefonike ka SPAK në atë dosje, por përdorimi ligjor i tyre nënkupton vetëm në atë proçes, dhe jo kundër kujtdo tjetër jashtë tij. Çdo përdorim tjetër quhet shantazh. Mafie quhet.
Gjithnjë nëse janë të vërteta aludimet ne nënzëshme për gjykatës që ndryshojnë mendim dhe marrin vendim kundër asaj që mendojnë.
**
Tani i bie t'i lutemi Gysit ti nxjerrë ato video vetë që të bjerë përdorimi i "monopolizuar" i tyre nga ata që i administrojnë për shkak të hetimit.
I nxjerrë në një plaftormë "GysiFlix"... Ta ndajë seksione Drama; Family; Crime Investigation; Justice Thriller dhe Justice Documentary...
Me atë rast u bie edhe çmimi spekulantëve politikë e mediatikë...
Mirë do ishte në fakt, të dalin ato video, foto e biseda që të bëhet edhe një vetting tjetër në drejtësi dhe, mbase kuptojmë edhe se kush ka kërkuar "ndihmë" për të kaluar vettingun...
Se me shantazhe nuk ndërtohet asgjë e drejtë./Versus.al

