AKTUALITET /

Dëshmia e ish-drejtorit të “Partizanit” në gjyqin ndaj Berishës e Malltezit: Kaluan shumë vite, s’mbaj mend gjë!

"Ambientet ishin të amortizuara, kishte edhe objekte të zëna" Ish-drejtori i klubit sportiv deklaroi në gjykatë se fondet ishin minimale dhe pranoi se kishte qenë pjesë e komisionit të inventarizimit të aseteve

Shkruar nga Versus

Dëshmia e ish-drejtorit të “Partizanit” në gjyqin

Është zbardhur dëshmia e Afrim Tola në seancën gjyqësore të dosjes “Partizani”, ku i pandehur është edhe ish-kryeministri Sali Berisha.

Para trupës gjykuese, Tola deklaroi se gjatë viteve 2006-2008 ka drejtuar klubin shumë-sportësh “Partizani”, duke theksuar se institucioni përballej me mungesë fondesh dhe vështirësi të mëdha financiare.

Sporte kishte pafund, në të gjitha kategoritë. Fondi ka qenë shumë i vogël dhe vetëm sportistët elitarë paguheshin. Për pjesën tjetër mundoheshim të gjenim mundësi financimi”, u shpreh ai gjatë dëshmisë.

I pyetur nga përfaqësuesit e SPAK lidhur me procedurat e privatizimit të kompleksit, Tola tha se kishte qenë pjesë e grupit të punës të ngritur nga ministria për evidentimin dhe vlerësimin e aseteve të klubit.

Kemi qenë grup pune për të treguar asetet dhe për të bërë vlerësimin. Nuk më ka kontaktuar njeri gjatë kohës që kam qenë drejtor”, deklaroi ai.

Gjatë pyetjeve të avokatit Klodian Skenderaj, dëshmitari u pyet nëse kujtonte të kishte firmosur dokumente që lidhen me privatizimin e pronave. Tola u përgjigj se nuk e mbante mend për shkak të kohës së gjatë që ka kaluar, por më vonë pranoi se kishte qenë pjesë e komisionit të inventarizimit.

Në dëshminë e tij, ai përshkroi edhe gjendjen problematike të ambienteve sportive të kompleksit “Partizani”.

“Përveç pjesëve që u munduam t’i rregullonim vetë, pjesa tjetër ishte e amortizuar, nuk kishte as dyer. Kishte edhe familje që i kishin zënë ambientet”, tha Tola.

Sipas tij, vlerësimi i inventarit në vitin 2006 kishte qenë rreth 20 milionë lekë.

Gjatë pyetjeve nga Jamarbër Malltezi, dëshmitari pranoi se kishte pasur objekte të zëna forcërisht, por tha se nuk mbante mend një shkresë të vitit 2003 që lidhej me problematikat e inventarizimit.

Në fund të dëshmisë, Afrim Tola deklaroi se nuk kishte pasur kontakte me biznesmenin Fatmir Bektashi gjatë periudhës që drejtonte klubin sportiv.

“Emrin e kam dëgjuar, por nuk mbaj mend ta kem takuar”, tha ai para gjykatës.

Poll