AKTUALITET /

Dështimi fatal në QSUT/ Shefi i Reanimacionit: Për gjeneratorët mos më pyesni mua! I burgosuri nuk vdiq nga mungesa e energjisë!

Një ndërprerje e përkohshme e energjisë elektrike në Reanimacionin e QSUT-së shkaktoi panik mes pacientëve dhe familjarëve, ndërsa stafi u detyrua të zhvendoste 10 pacientë për të siguruar vazhdimësinë e trajtimit. Sipas QSUT-së dhe OST, aparaturat mjekësore vijuan të funksionojnë falë sistemeve rezervë, ndërsa energjia u rikthye brenda pak minutash.

Shkruar nga Versus
Dështimi fatal në QSUT/ Shefi i Reanimacionit: Për
Mihal Mërkuri/ Krenar Lilaj

Shefi i shërbimit të anestezi-reanimacionit në QSUT, profesor Krenar Lilaj, doli në një deklaratë për mediat pas kaosit të paprecedentë të ndodhur mbrëmjen e djeshme, 19 janar, kur shkëputja e energjisë elektrike futi në rrezik pacientët në Reanimacionin Qendror.

Ndërsa qytetarët dhe familjarët e pacientëve jetuan ankthin e pasigurisë totale, Lilaj u përpoq të minimizojë situatën duke thënë se “nuk cenoi kujdesin e pacientëve”.

"Ndërprerja a e energjisë zgjati disa minuta, nga informacionet që morëm bëhej fjalë për një defekt të rëndë dhe rikthimi i energjisë ishte i pakonfirmuar, në këto kushte për të shmangur rënien e apo mosfunksionimin e njëkohshëm të aparateve aspiratore, vendosëm kalimin e të sëmurëve në godinën tjetër të spitalit. Zhvendosja e u bë vetëm 20 metra më larg duke siguruar vazhdimin e trajtimit. Vendosëm që të transportojmë vetëm10 të sëmurë, 9 të cilët ishin në respiracion të drejtuar", tha Lilaj.

Ndërsa për sa i përket vdekjes së të dënuarit, Lilaj u shpreh se Mihal Mërkuri erdhi nga “gjendje e rëndë me hemorragji”, jo nga mungesa e energjisë – energjia u rikthye rreth orës 09:45.

"Gjendja e tij ishte e rëndë që në ardhje ditën e diele pasdite. Ka pasur cirroza hepatike dhe  ka pasur hemorragji masive për të cilën është trajtuar kirurgjikalisht. Saktësisht i sëmuri është ndarë nga jeta 4:13 minuta", tha Lilaj.

Por kur u pyet drejtpërdrejt pse nuk funksionuan gjeneratorët rezervë, përgjigjja e tij ishte një shmangie cinike: “Kjo nuk është pyetje që më përket mua, por instancave të tjera”.

Në një deklaratë për mediat mbrëmjen e djeshme, Qendra Spitalore Universitare “Nënë Tereza” pranoi se në ambientet e saj kishte pasur një ndërprerje të përkohshme të energjisë elektrike, pa sqaruar megjithatë se për sa kohë Reanimacioni mbeti pa drita. Bëhet fjalë për një pavijon me rëndësi jetike, ku trajtohen pacientë në gjendje kritike.

Sipas QSUT-së, ndërprerja u shkaktua nga një defekt në linjën e furnizimit me energji elektrike të tensionit të lartë që furnizon Godinën A2. Institucioni theksoi se falë aktivizimit të menjëhershëm të sistemeve rezervë, si UPS dhe gjeneratorët, aparaturat mjekësore vijuan të funksionojnë normalisht dhe jeta e pacientëve nuk u rrezikua në asnjë moment.

I njëjti qëndrim u mbajt edhe nga Operatori i Sistemit të Transmetimit (OST), i cili pas riparimit të defektit deklaroi se institucionet me rëndësi të veçantë u furnizuan me energji elektrike brenda pak minutash, pa dhënë detaje konkrete mbi kohëzgjatjen e ndërprerjes në Reanimacionin e QSUT-së.Versus.al

 

Poll