Një atentat me armë zjarri ka tronditur mbrëmjen e djeshme fshatin Gjashtë, në dalje të qytetit të Sarandë, ku mbeti i vrarë biznesmeni Rexhep Ismaili, 66 vjeç.
Sipas policisë, ngjarja ndodhi rreth orës 21:30 në lokalin e karburantit “Vëllezërit Ismaili sh.p.k”, në pronësi të viktimës.
Ismaili ndodhej i ulur në tavolinë me persona të tjerë, kur autori i armatosur ka hyrë në lokal dhe ka hapur zjarr në drejtim të tij, duke e goditur me një plumb në kokë.
Burime nga vendngjarja bëjnë me dije se personat që ndodheshin me 66-vjeçarin i janë kundërpërgjigjur autorit, ndërsa ky i fundit ka arritur të largohet menjëherë pas ngjarjes.
Në reagimin zyrtar, policia sqaron se konflikti fillimisht ka nisur me sende të forta dhe më pas ka degraduar në përdorimin e armëve të zjarrit.
Nga hetimet paraprake dyshohet se autor i vrasjes është shtetasi Lulëzim Tabaku, i cili pas ngjarjes është larguar së bashku me persona të tjerë të përfshirë në konflikt.
Policia dyshon gjithashtu se gjatë shkëmbimit të zjarrit ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, i cili ende nuk është paraqitur në spital dhe nuk është identifikuar.
Forca të shumta policie kanë ngritur pika kontrolli dhe po krehin zonën për kapjen e autorit, ndërsa kontrolle po kryhen edhe në spitale dhe klinika private për identifikimin e personit të plagosur.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, ndërsa hetimet mbeten në zhvillim./Versus.al


