AKTUALITET /

DETAJET/ Trup i karbonizuar në Greqi, në hetim mundësia që të jetë shtetas shqiptar

Trupi i karbonizuar brenda makinës në Skourta të Greqisë mendohet se i përket një punëtori shqiptar, dyshohet për ekzekutim kriminal

Shkruar nga Versus

DETAJET/ Trup i karbonizuar në Greqi, në hetim mundësia që

Dyshime për viktimë shqiptare në rastin tronditës të trupit të karbonizuar në Viotia
Autoritetet greke po hetojnë me intensitet maksimal rastin makabër të trupit të gjetur të karbonizuar pasditen e së premtes në zonën e izoluar të Skourta, në Viotia. Trupi u gjet brenda një automjeti të djegur, në një vend të thellë malor që mund të arrihej vetëm përmes një rruge rurale të dëmtuar.

Sipas burimeve policore, ekziston dyshimi i fortë se viktima mund të jetë një shtetas shqiptar, me profesion punëtor ndërtimi, i cili është raportuar i zhdukur në të njëjtën zonë. Sipas mediave greke, shqiptari ishte larguar nga Vilia dhe po udhëtonte drejt Skourtas me automjetin e tij, para se të humbiste çdo kontakt me familjen dhe të njohurit.

Autoritetet po presin rezultatet e analizës së ADN-së, e cila do të krahasohet me atë të të afërmve të shqiptarit të zhdukur për të konfirmuar nëse trupi i karbonizuar i përket atij.

Hetimet kanë zbuluar se automjeti ku u gjet trupi ishte i vjedhur më herët në Glyfada dhe mbante targa të falsifikuara. Sipas raportimeve, trupi ndodhej në sediljen e pasme dhe viktima kishte duart e prangosura, çka përforcon dyshimet se bëhet fjalë për një ekzekutim të mirëorganizuar kriminal.

Rasti ka tronditur komunitetin shqiptar në Greqi, ndërsa familjarët e të zhdukurit presin me ankth rezultatet e ekspertizës mjeko-ligjore për të mësuar nëse bëhet fjalë për të afërmin e tyre.

Hetimet vazhdojnë nën drejtimin e policisë greke, e cila po përpiqet të zbardhë motivet dhe autorët e mundshëm të këtij krimi brutal. / VERSUS 

Poll