
Elbasan- Tre të rinjtë që u plagosën me armë zjarri mbrëmjen e së hënës brenda një lokali në lagjen “Vullnetari”, kanë lënë spitalin 2 orë pasi morën ndihmën e nevojshme mjekësore.
Gjendja e tyre paraqitet e qëndrueshme dhe plagët e marra nuk rezultuan të rrezikshme. Bjorgi Hoxha, 19 vjeç, Armand Tomorrica 32 vjeç dhe Renaldo Mance, 31 vjeç u plagosën mbrëmjen e djeshme teksa ndodheshin në tarracën e një lokali. Hoxha ishte kamarieri, ndërsa shënjeshtra dyshohet të kenë qenë Tomorrica dhe Mance.
Njëri prej tyre mori plagë të lehtë në shpatull, i dyti një plumb në këmbë ndërsa i treti ka pësuar vetëm një gërvishtje nga plumbi. Në vendngjarje u sekuestruan 6 gëzhoja plumbash, ndërsa po punohet për të identifikuar autorin e ngjarjes.
Ky i fundit arriti të largohej në brendësi të lagjes pasi në lokal ndodhej edhe një efektiv policie jashtë shërbimit i cili u vu në ndjekje të tij. Dyshohet se autori ka patur dijeni për praninë e të rinjve në lokalin ku kishte shkuar. Për të mos u identifikuar, autori përdori një paruke. Po hetohet për konflikt në fushën e trafikut të lëndëve narkotike, por policia nuk ka përjashtuar as mundësinë e një konflikti banal. Versus.al

