
Një incident i rëndë ndodhi pasditen e djeshme në stadiumin “Selman Stërmasi”, ku gazetari investigativ i emisionit Piranja, Edon Kuqi, u dhunua dhe u kërcënua gjatë kryerjes së detyrës nga aksioneri kryesor i kompanisë Air Albania, Sinan Idrizi.
Gazetari dhe operatori i tij ndodheshin aty për ta pyetur biznesmenin lidhur me denoncimet mbi largimin nga puna të dy sanitareve të kompanisë, të cilave pretendohet se nuk u ishin paguar as sigurimet shoqërore. Sipas Kuqit, në vend të përgjigjeve mori kërcënime, iu mor telefoni dhe më pas u nxor me forcë jashtë nga truprojat e Idrizit.
Në reagimin e tij publik, klubi i futbollit Flamurtari e ka cilësuar grupin e gazetarëve si “një grup kriminal të kamufluar si punonjës të medias” dhe ka pretenduar se ata ishin të pajisur me armë të sofistikuara.
Ndërkohë, pamjet e shpërndara në rrjete sociale tregojnë momentet e tensionit, ku edhe presidenti i klubit të Tiranës, Refik Halili, ndërhyri duke i marrë me forcë telefonin gazetarit. Pavarësisht situatës, Flamurtari ka falënderuar Halilin për “ndërhyrjen e shpejtë” në qetësimin e konfliktit.
Reagimi i plotë i klubit të Flamurtarit:
Flamurtari Football Club dënon me forcë ngjarjen e paprecedentë të ndodhur dje gjatë ndeshjes Tirana - Flamurtari. Gjatë zhvillimit të aktivitetit, një grup i paidentifikuar personash ndërhyri në mënyrë të paligjshme, duke penguar administratorin e klubit tonë të kryente funksionet e tij. Ky akt është i papranueshëm dhe përbën një përpjekje të qartë për të denigruar dhe penguar aktivitetin sportiv të Flamurtarit.
Dyshimet tona janë serioze se anëtarë të këtij grupi, të kamufluar si gazetarë, kanë qenë të pajisur edhe me armë të sofistikuara, çka e bën edhe më të rëndë ngjarjen dhe rrezikun e krijuar për sigurinë e pjesëmarrësve.
Falënderojmë drejtuesit e Klubit Tirana për ndërhyrjen e shpejtë dhe kontributin në normalizimin e situatës. Flamurtari F.C. do të ndjekë deri në fund çdo hap ligjor dhe do të kërkojë zbardhjen e plotë të këtij incidenti, në mënyrë që sporti shqiptar të mos bëhet peng i akteve të dhunshme dhe tentativave për intimidim.
View this post on Instagram







