AKTUALITET /

Disa shtëpi të shkrumbuara e pyje të bëra "hi", fiken vatrat e zjarrit në Gramsh! Banorët rikthehen në banesat e tyre

Po punohet për rikthimin e energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë.

Shkruar nga Versus

Disa shtëpi të shkrumbuara e pyje të bëra "hi",

Elbasan- Situata në Gramsh është vënë nën kontroll pas disa ditësh në luftë me flakët që lanë dhjetëra banesa të shkrumbuara dhe sipërfaqe të mëdha pyjore të djegura.

Çdo vatër zjarri po mbahet nën kontroll pasi ekziston ende rreziku i aktivizimit të tyre.

Banorët kanë nisur të rikthehen në shtëpitë që mbetën të padëmtuara nga zjarret. Ndërsa rojet e pyllit, zjarrfikësit e vullnetarët vijojnë të jenë të shpërndarë në terren. Njëkohësisht po punohet për rikthimin e energjisë elektrike dhe furnizimit me ujë në fshatrat e prekur.

E gjithë katastrofa ndodhi pasi një i moshuar 80 vjeçar ndezi një zjarr në oborrin e shtëpisë pas një sherri që kishte patur me fqinjët. Situata i doli jashtë kontrollit dhe zjarri përfshiu plot 7 fshatra duke shkatërruar dhjetëra banesa.

Kryeministri Edi Rama bëri me dije dje se në të gjithë vendin janë dëmtuar plot 207 shtëpi, 40 prej të cilave janë djegur plotësisht. Gjithashtu janë humbur edhe 3619 krerë bagëtish. Për dëmet, Rama tha se do të ketë kompensim të banorëve të prekur ndërsa deklaroi sërish se nuk ka “asnjë forcë magjike” që mund të ndalë zjarret duke iu përgjigjur kritikëve për mungesën e avionëve zjarrfikës. Versus.al

Poll