Një aksident i rëndë rrugor i ndodhur pak ditë më parë në zonën e Mëzezit, në Tiranë, ka përfunduar me humbjen e jetës së 33-vjeçarit Kristo Liço, i cili ndërroi jetë sot në Spitalin e Traumës.
Sipas informacioneve, ai po udhëtonte me motor së bashku me një 20-vjeçare kur janë përplasur nga një automjet tip BMW, i drejtuar nga një 18-vjeçar.
Përplasja ka qenë e fortë, duke bërë që të dy të rinjtë në motor të përfundojnë disa metra larg.
Të lënduarit u transportuan me urgjencë në Spitalin e Traumës, ndërsa drejtuesi i automjetit u shoqërua fillimisht në komisariat dhe më pas u la i lirë, sipas të dhënave paraprake.
Ngjarja ka ngritur dyshime dhe debat publik lidhur me mënyrën e trajtimit të rastit nga autoritetet, ndërsa policia e Tiranës vijon punën për të dokumentuar plotësisht rrethanat e aksidentit dhe për të sqaruar përgjegjësitë ligjore./Versus.al

