Këshilli i Ministrave miratoi në mbledhjen e sotme shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurisë së paluajtshme, pronë private, që preket nga realizimi i projektit “Auto – Moto Park”, Bashkia Elbasan.
Shpronësimi bëhet në favor të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor.
Pronarët e pasurisë të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, për pasurinë e llojit “truall”, me një vlerë të përgjithshme prej 347 372 260lekësh.
Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3 muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.
Pronarët e pasurisë së paluajtshme, pronë private, të pasqyruar në tabelën që i bashkëlidhet këtij vendimi, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Agjencisë Shtetërore për Shpronësimin.
Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, brenda 30 ditëve nga data e miratimit të këtij vendimi, nis procedurat për hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në favor të shtetit, në përgjegjësi administrimi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, për Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor, për pasurinë e shpronësuar, sipas këtij vendimi.
Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Ministria e Financave, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimeve të Transportit Rrugor, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Elbasan, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.
Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.







