
Një valë dorëheqjesh masive ka përfshirë administratën vendore në disa bashki të Shqipërisë, pas kërkesës së drejtpërdrejtë të Kryeministrit Edi Rama për riorganizim dhe pastrim në strukturat lokale. Në Bashkinë e Elbasanit, drejtues të niveleve të larta dhe administratorë të njësive vendore kanë dhënë dorëheqjet në mënyrë kolektive, me synimin për të përmirësuar efikasitetin, transparencën dhe shërbimet ndaj qytetarëve.
Një proces i ngjashëm po zhvillohet edhe në Bashkinë e Korçës, ku gjashtë kryetarë njësish administrative kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre, ndërsa dy nënkryetarët nuk janë përfshirë në këtë masë. Në Kolonjë, tre kryetarë njësish administrative janë gjithashtu dorëhequr, ndërsa pritet që vala e dorëheqjeve të përhapet edhe në bashkitë e tjera të qarkut, përfshirë Maliqin, Devollin dhe Pogradecin.
Kryeministri Rama ka theksuar nevojën për një “rilindje institucionale” në disa bashki ku janë evidentuar problematika në funksionimin e administratës dhe zbatimin e reformave. Pas këtyre dorëheqjeve, pritet që të bëhen emërime të reja bazuar në meritokraci dhe integritet profesional për të garantuar një administratë më funksionale dhe në shërbim të komunitetit./Versus.al







