Hetimet për aferën e AKSHI-t vijojnë të prodhojnë detaje të reja të cilat përfshijnë funksionarë apo ish-zyrtarë të lartë. Mësohet se në duart e prokurorëve të SPAK, kanë rënë disa biseda telefonike të kryera mes dy miqve të vjetër, biznesmenit të shpallur në kërkim Ergys Agasi dhe ish-deputetit të PS, Alqi Bllako i cili ka qenë mes të dënuarve për aferën e inceneratorëve.
Gazetari Elton Qyno bën me dije se në bisedat mes Agasit dhe Bllakos flitet për përdorimin e dhunës psikologjike, fizike dhe rrëmbim personash. Nga çfarë është zbuluar, bëhet fjalë për 4 episode të përdorimit të dhunës psikologjike dhe fizike të kryera përmes kërcënimeve, rrëmbimeve apo edhe nëpërmjet përdorimit të armëve të zjarrit për arritjen e qëllimeve.
Në dosje evidentohen të dhëna, përmes akteve të ekspertimit telefonik, se këta dy personazhe publikë kanë komunikuar ndërmjet tyre, duke mos kursyer as persona të rrezikshëm për të kërcënuar apo për të diktuar, përmes presionit dhe me pahir, funksionarë të lartë shtetërorë, të cilët duhet të veprojnë dhe të firmosin dokumente sipas udhëzimeve që ata japin në këto bashkëbisedime.
Por nuk janë zbuluar emrat e personave me rrezikshmëri të lartë shoqërore që janë përmendur në këto bashkëbisedime mes Agasit dhe Bllakos.
Sipas gazetarit, së shpejti SPAK do të marrë në pyetje ish-deputetin Alqi Bllako, i cili më herët u deklarua fajtor dhe u dënua nga gjykata si i përfshirë në aferën e inceneratorit të Elbasanit.
“…më tej rezulton se provat njoftojnë rastin e presionit dhe kërcënimeve të bëra ndaj Migena Schroeder, në episodin që ajo jep sqarime për prokurimin publik “Stmart Lab 2”, ku jepen shpjegime për “Albascan” të Elton dhe Elision Jorgjis, “AESS” të Jani Angjelit, drejtueses së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, biznesmenit Ermal Beriqi, zv/drejtuesit të AKSHI-t, Daniel Shima dhe Elton Jorgji. Edhe në këtë rast, sipas këtyre deklarimeve, është përdorur dhunë psikologjike përmes kërcënimeve, për të detyruar subjektin operator ekonomik të veprojë sipas qëllimeve dhe kërkesave të dhunuesve të dyshuar…”, thuhet në dokumentet e siguruara nga gazetari Elton Qyno për Syri Tv.
Në dosjen hetimore të AKSHI-t u provua rrëmbimi i biznesmenit Gerond Meçe i cili u kërcënua që të hiqte dorë nga ankimet që ai kishte bërë lidhur me tenderat e AKSH-t të fituar nga kompania e Ermal Beqirit pas të cilit fshihej Ergys Agasi. Deri më tani 8 persona po hetohen për skandalin e AKSHI-t ndaj të cilëve rëndon akuza e bashkëpunimit si grup kriminal. Versus.al


