
Mëngjesin e sotëm në orën 10:00 në Gjykatën e Posaçme mbahet seanca e parë për procesin në themel për dosjen “Partizani” ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe tre të tjerë.
Kryesuese e seancës do jetë gjyqtarja Elsa Ulliri ndërsa anëtarë të trupës gjykuese janë Bib Ndreca dhe Rudina Palloi. Të pandehurit nuk kanë kërkuar gjykim të shkurtuar që mund të sjellë një proces të gjatë gjyqësor.
Ende nuk dihet nëse Berisha nën masën “detyrim paraqitje” do të jetë vetë i pranishëm në seancë apo do të dërgojë avokatin e tij Genc Gjokutaj.
Në këtë çështje janë të pandehur ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi, ortaku i tij Xhimi Begeja, biznesmeni Fatmir Bektashi dhe financierja Andia Pustina të cilët akuzohen për veprime të paligjshme në lidhje me procesin e privatizimit të ish-kompleksit sportive “Partizani”. Ndaj Berishës rëndon akuza e korrupsionit pasiv, ndaj dhëndrit të tij ajo e korrupsionit pasiv dhe e pastrimit të parave. Versus.al







