Drafti për Kodin e Ri Penal u prezantua të premten nga Ministrii Drejtësisë Ulsi Manja, drejtuesi i grupit të punës dhe me prezencën e drejtuesve të institucioneve kryesore të drejtësisë në vend.
Në një nga nenet e kodit të ri parashikohen masa të reja ndëshkuese ndaj kujtdo që përpiqet të ndikojë vendimmarrjen e gjykatës përmes komenteve publike.
Sipas nenit 536, bërja apo publikimi i komenteve me anë të të cilave synohet haptazi të ushtrohet ndikim në aftësinë e gjykatës për të marrë vendimet, nëpërmjet krijimit të rrethanave shtypëse ndaj pavarësisë së saj, shtrembërimit të qëllimshëm të cilësisë së provave apo paraqitjes së tyre në kundërshtim me përmbajtjen e vërtetë, imponimit për të krijuar pabesueshmërinë në publik të aftësisë së gjykatës për të qenë e pavarur, të kryera për çdo interes apo përfitim, për të dëmtuar apo favorizuar persona të veçantë, e kryer përpara dhënies së një vendimi gjyqësor, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.
Gjithashtu në nenin 516 të draftit parashikohet dënimi për ata që zbulojnë të dhëna sekrete.
Konkretish tnë pikën 1 të këtij neni thuhet se “zbulimi i të dhënave sekrete apo konfidenciale, që kanë lidhje me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose për vendndodhjen e dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët përfitojnë mbrojtje të veçantë sipas ligjeve në fuqi, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet”.
Nga ana tjetër pika 3 i referohet publikimit të të dhënave konfidenciale.
Neni 516, zbulimi i bashkëpunëtorit të drejtësisë
Zbulimi i të dhënave sekrete apo konfidenciale, që kanë lidhje me identitetin, procesin e bashkëpunimit, të mbrojtjes ose për vendndodhjen e dëshmitarëve e të bashkëpunëtorëve të drejtësisë, të cilët përfitojnë mbrojtje të veçantë sipas ligjeve në fuqi, dënohet me burgim nga dy deri në gjashtë vjet.







