Pasditen e 1 korrikut, në qytetin e Vlorës, u arrestua një shtetas shqiptar, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që prej vitit 2000, pasi kishte kryer një vrasje në Ravenna të Italisë.
Ngjarja ndodhi më 9 shkurt të vitit 2000, kur i arrestuari, në atë kohë ende i mitur, goditi për vdekje me thikë një burrë pas një konflikti. Në vitin 2004, Gjykata e Apelit në Bolonja e dënoi përfundimisht me burg për veprat penale të vrasjes dhe mbajtjes pa leje të armës së ftohtë. Prej asaj kohe, ai kishte qëndruar i fshehur dhe ishte i pagjurmueshëm.
Kapja e tij u bë e mundur pas një operacioni të gjerë kërkimi, që përfshiu bashkëpunimin mes Policisë së Shtetit, Interpol Tirana, Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë dhe autoriteteve italiane. Operacioni u zhvillua në kuadër të aksionit të koduar “Objektivi”, dhe u koordinua nga Forca Operacionale e Policisë Shqiptare në bashkëpunim me Policinë italiane të Ravenës./Versus.al/







