Kur kanë kaluar mbi 2 muaj nga vrasja e 14 vjeçarit M.C, ende nuk ka një përgjigjie të qartë nga ana e policisë lidhur me konfliktin e ndodhur vetëm 200 metra larg shkollës Fan Noli.
Sot prindërit e 14 vjeçarit kanë dalë në protestë dhe në marshim për të kërkuar veprime më të shpejta nga ana e organeve shtetërore. I ati i të miturit të ndjerë u shpreh se është i frikësuar se mos ngjarja do të mbetet e pazbardhur.
“Kemi dy muaj që përjetojmë këtë dramë të madhe e nuk kemi asnjë reagim nga institucionet. Iu bëj thirrje të gjithë prindërve që të bashkohemi, pasi fëmijët janë mbi gjithçka. Nuk flemë gjumë, po përjetoj një ngjarje tragjike, kemi një traumë tepër të madhe. Na ka kapur frika, iu bëj thirrjeve institucioneve që të na dëgjojnë. Prokurorja më tha se do të kemi një përgjigje e ka vetëm heshtje. Heshtja vret”- u shpreh mes të tjerash i ati i të miturit të vrarë.
I pranishëm në marshim ka qenë edhe shoku i të miturit të ndjerë, L.M i cili mbeti asokohe i plagosur. Gjendja e tij tashmë raportohet më e mirë. Versus.al








