AKTUALITET /

Dyshohet se vinin nga aktiviteti kriminal, gjyqtari Abdiu liron 50 mln € pasuri të biznesmenit Elman Abule dhe Kristian Boçit!

Gjykata e Tiranës, me gjyqtarin Altin Abdiu, hodhi poshtë kërkesën për sekuestron 20 pasurish me vlerë 50 milionë euro të Elman Abules (mik i Veliajt), Kristian Boçit e të tjerëve. Prokuroria apelon – pasuria dyshohet nga vjedhje, banda dhe trafik droge!

Shkruar nga Versus
Dyshohet se vinin nga aktiviteti kriminal, gjyqtari Abdiu liron 50 mln €
Elman Abule/ Kristian dhe Drilona Boci

Gjykata e Tiranës, ka vendosur të mos sekuestrojë rreth 20 pasuri me vlerë gati 50 milion euro, për të cilat policia dhe prokuroria e kryeqytetit, ka pasur indicie të forta se vijnë nga aktiviteti kriminal i personave që i posedojnë ato.

Informacionet e siguruara nga gazetari Elton Qyno, tregojnë se miku i Erjon Veliaj, Elman Abule, që sot në Tiranë konsiderohet biznesmen i sukseshëm, në vitin 2004-2005, ka qënë në Belgjikë një hajdut i dhunshëm, duke përdorur çelësa të kopjuar dhe metodën e thyerjes.

Drejtoria e Interpolit në 12 shtator 2023 është informuar se Elman Abule rezulton i dënuar më datë 17 janar 2007, nga Gjykata e Antvvep, me 30 muaj burg për veprën penale të “Vjedhje me thyerje ose duke përdorur çelësa të kopjuar dhe krijim bande", duke u dënuar ky shtetas me 2 vjet burg me kusht dhe 1 vit vit në burg për “krijim bande”.

Gjithashtu, rezulton se miku i Abules dhe ish-ortak me subjektin "Rametal" dhe shoqërinë tjetër "Ferro Chrome Holding", ka qënë Kristian Boçi, i përfshirë në veprimtari të paligjshme dhe i arrestuar në vitin 2011 në Itali, i cili njihet për lidhjet e tij dhe me persona të tjerë të përfshirë në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve si Eldi Dizdari.

Gazetari Qyno,ka mësuar se vendimi i mospranimit të kërkesës së prokurorisë, është dhënë pak ditë më parë nga gjyqtari i Tiranës, Altin Abdiu, i cili në fillim të muajit qershor 2025 u rikthye në funksionin e gjyqtarit nga Komisioni i Posaçëm i Apelimit.

Abdiu, refuzoi të sekuestrojë 20 shoqëri tregtare, dyqane, apartamente e vila me vlerë rreth 50 milionë euro, të cilat zotërohen nga Kristian Boçi, Elman Abule, mik i afërt i Erjon Veliaj, Vladimir Avramit si dhe 4 personave të tjerë të lidhur me këta persona.

Ndërkohë pritet që me zbardhjen e vendimit të gjykatës, prokuroria e Tiranës të ushtrojë Apelim në gjykatën e Apelit, duke kërkuar sekuestrimin e këtyre pasurive.

Kujtojmë se në muajin Qershor 2024, e njëjta gjykatë por me gjyqtare tjetër, ka vendosur pranimin e kërkesës duke urdhëruar sekuestrimin e pasurive të personave të implikuar në veprimtari kriminale.

Poll