AKTUALITET /

"E bëtë mbret me 86 mandate", Fevziu-protestuesve: S'kemi si e gozhdojmë, Rama duhet ta çojë vendin në zgjedhje

Shkruar nga Versus

"E bëtë mbret me 86 mandate", Fevziu-protestuesve:

Moderatori i njohur Blendi Fevziu ka reaguar pas kritikave të shumta nga qytetarët në rrjetet sociale përsa i takon qëndrimit të tij lidhur me protestat dhe projektin në Zvërnec. Fevziu tha se është pro çdo lloj proteste dhe shtoi se protestat e ditëve të fundit nuk janë vetëm për Zvërnecin, por për të gjithë situatën politike në vend.

“Jam absolutisht pro çdo lloj proteste, nëse vdes protesta, vdes edhe kombi vetë. Mendoj se kjo protestë nuk ka qenë vetëm për Zvërnecin, por për të treguar një lloj arrogance të pushtetit, protest për të rinjtë që e kanë shumë të vështirë të integrohet, për varfërimin më të madh të klasës së mesme dhe për situatën politike në përgjithësi”- tha Fevziu.

Sa i takon projektit, Fevziu tha se e ka pasqyruar disa herë në emision planin e parashtruar nga Rama, ndërsa kritikoi qytetarët për mungesën e reagimit për aeroportin e Vlorës që ndodhet në zonë të mbrojtur. Më tej tha se vendosja e Ramës “me shpatulla pas murit” është tejet e vështirë kur ai ka 86 mandate (përfshi 3 të PSD), pasi me këtë fuqi politike ai ndihet sikur mund të bëjë çdo gjë.

"Pyesni pse nuk e gozhdojmë dot Ramën. Nuk e bëjmë dot sepse Rama nuk pyet më as për mediat as për opozitën sepse ka 86 vota që ia keni dhënë ju. Unë nuk kam votuar kurrë për PS në jetën time. Rama ka 86 vota që e bëjnë mbret dhe nuk pyet më për askënd. Nuk vjen ai, nuk vijnë ministrat. Sepse vota është ajo që e fuqizon dhe ia keni dhënë ju, jo unë".

Në vazhdim, Fevziu e mbylli videon duke propozuar që Rama të çojë vendin në zgjedhje të parakohshme për të parë nëse vërtet e ka mbështetjen e popullit.

“Rama është mirë ta çojë vendin në zgjedhje për të provuar nëse ka apo jo mbështetje.  Për projektin ka mendime të ndryshme, është cështje debati që duhet të ishte bërë me kohë. Çdo lloj proteste që bëni ju, nëse Rama merr 86 vota, ka të drejtë të bëjë ç’të dojë me vendin. Këto ja jepni ju, jo unë. Vetëm me votë mund të ndryshohet”- shtoi moderatori. Versus.al

Poll