
Një 31 vjeçare me inicialet J.H është gjetur e pajetë brenda një hoteli në zonën e Shkëmbit të Kavajës. E reja nga Kosova u gjet pa shenje jete ditën e djeshme, ndërsa në trupin e saj nuk janë konstatuar shenja dhune.
Për të përcaktuar shkaqet e vdekjes, trupi i pajetë u dërgua për autopsi mjekoligjore. Policia ka nisur hetimet ndaj dy administratorëve të hotelit për shkak se nuk kishin lëshuar kupon tatimor për dhomën ku qëndronte e ndjera.
Njoftimi i plotë:
Drejtoria Vendore e Policisë Durrës-Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Durrës referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal ndaj shtetasve V. E., 38 vjeç, dhe A. Sh., 34 vjeç, të dy banues në Durrës, administratorë të një hoteli në zonën e Shkëmbit të Kavajës, pasi:
Ditën e djeshme, në ambientet e këtij hoteli është gjetur pa shenja jete shtetasja kosovare J. H., 31 vjeçe. Nga këqyrja paraprake e trupit nuk janë konstatuar dëmtime të jashtme që mund të kenë shkaktuar vdekjen. Trupi i pajetë është dërguar për autopsi mjekoligjore, me qëllim përcaktimin e saktë të shkakut të vdekjes.
Nga veprimet e para hetimore dyshohet se 2 administratorët nuk kanë lëshuar kupon tatimor për dhënien me qira të ambientit, ku shtetasja qëndronte prej muajit dhjetor 2025.
Materialet u referuan në Prokurori për vlerësim, ndërkohë që priten rezultatet e ekzaminimeve mjekoligjore për përcaktimin e shkakut të vdekjes së 31-vjeçares. Versus.al

