
Është bërë publike dëshmia e autorit të vrasjes së Besmir Kumrisë në fshatin Kryekuq të Divjakës. Xhesion Toromeni, 25 vjeç, ka treguar para hetuesve se viktima kishte dhunuar babanë e tij tre vite më parë për një kanal uji.
Sipas Toromenit, kur pa Besmir Kumrinë, nuk mundi të qëndronte i qetë dhe hyri në lokal për ta goditur, duke vepruar si hakmarrje për dhunimin e të atit.
“Para tre vjetësh, për vijën e ujit, viktima më ka rrahur keq babanë. Dhe unë e pashë ulur në lokal, nuk durova dhe shkova e qëllova”-ka deklaruar autori para uniformave blu.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 19 gushtit në një lokal në fshatin Kryekuq të Divjakës, ku 32-vjeçari ndodhej në shoqëri të miqve të tij. Autori iu afrua dhe e goditi me thikë, duke i shkaktuar vdekjen. Hetimet paraprake tregojnë se konflikti mund të ketë lindur nga mosmarrëveshjet e vazhdueshme mes familjeve për një kanal vaditës në fshat. Pas ngjarjes, autori u largua, por u arrestua pas disa orësh ndjekjeje nga shërbimet operative të Fierit./Versus.al







