Policia e Shtetit, në bashkëpunim me SPAK-un dhe Byronë Kombëtare të Hetimit, ka ndërmarrë fazën e parë të një operacioni të koduar “Premtimi”, që synon goditjen e veprimtarive të paligjshme të lidhura me procesin zgjedhor. Operacioni është zhvilluar në qarkun Shkodër, në kuadër të një hetimi për krime elektorale.
Me vendim të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, janë kryer kontrolle ndaj gjashtë personave të dyshuar, si dhe në nëntë automjete që ata përdornin. Kontrollet janë kryer në disa zona, përfshirë qytetin e Shkodrës, Bushatin dhe Vau i Dejësin.
Gjatë këtij aksioni, policia ka sekuestruar shuma të konsiderueshme parash në euro dhe lekë, tollona karburanti, telefona celularë, dokumente të ndryshme si dhe lista me emra qytetarësh – elementë që dyshohen se janë përdorur në funksion të veprimtarisë kriminale që lidhet me manipulimin e procesit zgjedhor.
Autoritetet kanë deklaruar se hetimet vijojnë në mënyrë intensive për të dokumentuar tërësisht rrjetin e përfshirë në këtë veprimtari të dyshuar, ndërsa nuk përjashtohen arrestime të tjera në vijim.
Ky operacion vjen në një moment kur institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë janë të angazhuara në garantimin e integritetit të proceseve zgjedhore në vend, në një përpjekje për të rritur besimin e publikut dhe transparencën e votës. /Versus.al/








