Kur kanë kaluar pothuajse 3 ditë nga nisja e zjarrit të madh në landfillin e Elbasanit ku trajtohen mbetjet, flakët vijojnë të mbeten aktive dhe tymi i zi që ka mbuluar gjithë qytetin, rrezikon shëndetin e banorëve.
Bashkë me tymin, qytetarët po përballen me një aromë të padurueshme që ka përfshirë një pjesë të mirë të qytetit dhe zonave përreth. Aromave të padurueshme dhe tymit të zi i është shtuar edhe vapa ekstreme që ka përfshirë vendin duke qenë se po hyjmë në muajt më të nxehtë të verës.
Kështu shëndeti i banorëve të njërit prej qarqeve më të mëdha të vendit, është në rrezik serioz. Ministria e Mbrojtjes nga ana tjetër, ka bërë me dije se pavarësisht angazhimit me disa makina zjarrfikëse dhe efektivë në terren, ende nuk është bërë e mundur shuarja e flakëve në fushën e mbetjeve, por zjarri është izoluar për të mos rrezikuar banesat.
Ndërkohë, pavarësisht se dyshohet që zjarri të jetë i qëllimshëm nuk ka persona të arrestuar apo proceduar penalisht nga autoritetet e Elbasanit. Pikëpyetje të mëdha ngrihen edhe mbi aktivitetin e “Eco Elb” kompanisë shtetërore që duhet të merret me menaxhimin e këtyre mbetjeve dhe të prodhojë energji nëpërmjet trajtimit të tyre në inceneratorin e Elbasanit. Versus.al







