AKTUALITET /

"Emigrantët s'duhet të jenë barrë financiare", ambasada e SHBA në Tiranë: Aplikimet vijojnë, por nuk lëshohen viza

Njoftimi i publikuar bën me dije se qytetarët shqiptarë mund të marrin viza turistike, por ato për emigracionin janë të pezulluara.

Shkruar nga Versus

"Emigrantët s'duhet të jenë barrë

Ambasada e SHBA në Tiranë ka dhënë detaje lidhur me vendimin e bërë publik dje nga DASH për pezullimin e aplikimit të vizave të emigracionit me Shqipërinë. Në reagimin e publikuar në faqen zyrtare të ambasadës thuhet se DASH po bën një rishikim që emigrantët e 75 vendet për të cilat është marrë ky vendim, të mos bëhen barrë për taksapaguesit amerikanë duke përfituar ndihma sociale.

Nënvizohet se ky pezullim vlen vetëm për vizat emigruese dhe ato të bashkimit familjar, ndërsa vizat për qëllime turistike nuk preken. Ambasada bën me dije se gjatë kësaj periudhe do të zhvillohen takime me aplikantët për viza, por asnjë vizë nuk do lëshohet për qëllime emigracioni.

Reagimi i Ambasadës:

Përditësime mbi Përpunimin e Vizave Emigruese për Shtetasit nga Vendet me Rrezik të Lartë të Përdorimit të Përfitimeve Publike

Presidenti Trump ka bërë të qartë se emigrantët duhet të jenë financiarisht të vetë-mjaftueshëm dhe të mos përbëjnë barrë financiare për amerikanët. Departamenti i Shtetit po kryen një rishikim të plotë të të gjitha politikave, rregulloreve dhe udhëzimeve për të siguruar që emigrantët nga këto vende me rrezik të lartë të mos përdorin ndihma sociale në Shtetet e Bashkuara dhe të mos konsiderohen barrë publike.

Duke filluar nga 21 janari 2026, Departamenti i Shtetit do të pezullojë lëshimin e të gjitha vizave emigruese për aplikantët që janë shtetas të vendeve të mëposhtme:

Afganistan, Shqipëri, Algjeri, Antigua dhe Barbuda, Armeni, Azerbajxhan, Bahamas, Bangladesh, Barbados, Bjellorusi, Belize, Butan, Bosnje dhe Hercegovinë, Brazil, Birmani, Kamboxhia, Kamerun, Kepi i Gjelbër, Kolumbi, Bregu i Fildishtë, Kubë, Republika Demokratike e Kongos, Dominikë, Egjipt, Eritre, Etiopi, Fixhi, Gambia, Gjeorgji, Ganë, Grenadë, Guatemalë, Guine, Haiti, Iran, Irak, Xhamajkë, Jordani, Kazakistan, Kosovë, Kuvajt, Republika e Kirgistanit, Laos, Liban, Liberi, Libi, Moldavi, Mongoli, Mali i Zi, Marok, Nepal, Nikaragua, Nigeri, Maqedoni e Veriut, Pakistan, Republika e Kongos, Rusi, Ruandë, Shën Kits dhe Nevis, Shën Luçia, Shën Vincent dhe Grenadinat, Senegal, Sierra Leone, Somali, Sudani i Jugut, Sudan, Siri, Tanzani, Tajlandë, Togo, Tunizi, Ugandë, Uruguai, Uzbekistan dhe Jemen.

Pyetje të Shpeshta

Çfarë ndodh me takimin tim për intervistën e vizës emigruese?

Aplikantët për vizë emigruese që janë shtetas të vendeve të prekura mund të dorëzojnë aplikimet për vizë dhe të marrin pjesë në intervista, dhe Departamenti do të vazhdojë të caktojë takime për aplikantët, por asnjë vizë emigruese nuk do të lëshohet për këta shtetas gjatë kësaj periudhe pezullimi.

A ka ndonjë përjashtim?

Shtetasit me dyshtetësi që aplikojnë me një pasaportë të vlefshme të një vendi që nuk është i listuar më sipër janë të përjashtuar nga ky pezullim.

A ndikon kjo në vizën time aktuale të vlefshme?

Asnjë vizë emigrimi nuk është hequr si pjesë e këtij udhëzimi. Për pyetje që lidhen me hyrjen në Shtetet e Bashkuara, ju referojmë te Departamenti i Sigurisë Kombëtare i Shteteve të Bashkuara.

A zbatohet kjo për vizat turistike?

Jo, ky pezullim zbatohet vetëm për aplikantët e vizave emigruese. Vizat turistike janë viza jo-emigruese. Versus.al

Poll