Policia e Korçës ka finalizuar operacionin 'Break' pas një hetimi njëvjeçar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Korçës.
Uniformat blu kanë vënë në pranga 7 persona të cilët funksionin si grup dhe shisnin lëndë narkotike në afërsi të shkollave dhe në lokale nate.
Personat e arrestuar janë: Besmir Gjezar, Erdis Hysi, Kristi Dule, Adi Manoku, Mateo Jahollari, Marjus Lako dhe Stiljan Lako.
Gjatë operacionit pjesëtarëve të grupit iu sekuestruan sasi të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, shuma parash që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndëve narkotike, si dhe 1 peshore elektronike, 3 automjete dhe 9 celularë.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet faza e dytë e operacionit antidrogë, të koduar “Break “, i zhvilluar pas një hetimi proaktiv, njëvjeçar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Korçës, për shkatërrimin e një grupi kriminal që shiste lëndë narkotike në afërsi të shkollave dhe në lokale nate, në qarkun Korçë.
Gjatë kësaj faze:
u vunë në pranga 7 shtetas, njëri prej tyre organizator i grupit;
u shpall në kërkim 1 shtetas;
u proceduan në gjendje të lirë 6 shtetas;
u identifikua si bashkorganizator i këtij grupi dhe një shtetas aktualisht i ndaluar në Itali, për heqje të paligjshme të lirisë;
pjesëtarëve të grupit iu sekuestruan sasi të lëndëve narkotike Kokainë dhe Cannabis Sativa, shuma parash që dyshohet se janë përfituar nga shitja e lëndëve narkotike, si dhe 1 peshore elektronike, 3 automjete dhe 9 celularë.
Konkretisht, gjatë kësaj faze, u ekzekutua masa e sigurisë “Arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Korçës, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për shtetasit A. M., 39 vjeç (me rolin e organizatorit), B. Gj., 37 vjeç, K. D., 27 vjeç, M. J., 19 vjeç, M. L., 34 vjeç, S. L., 37 vjeç dhe E. H., 27 vjeç.
U shpall në kërkim shtetasi P. H., 34 vjeç, me të njëjtën masë sigurie, për të njëjtën vepër penale.
Gjithashtu, Gjykata ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, për shtetasin K. B., 34 vjeç (me rolin e bashkorganizatorit), i cili aktualisht është i ndaluar në Itali, me të njëjtën masë sigurie për veprën penale “Heqja e paligjshme e lirisë”.
Operacioni vijon./Versus.al








