
Një rast i rëndë vjedhjeje është zbuluar në kryeqytet, ku të paktën 40 mijë kilogramë kafe dyshohet se janë marrë në mënyrë të paligjshme nga një subjekt tregtar ku punonin prej vitesh disa punonjës.
Policia e Shtetit ka bërë me dije se ka arrestuar dy magazinierët, Altin Kenga dhe Vasilika Kazo, ndërsa nën hetim është vënë edhe një 29-vjeçar, i dyshuar si shpërndarës i kafes së vjedhur.
Sipas hetimeve paraprake, tre punonjësit dyshohet se kanë përfituar rreth 800 mijë euro nga shitja e sasive të kafes gjatë një periudhe prej rreth tre vitesh.
Autoritetet po vijojnë punën për të dokumentuar plotësisht skemën e dyshuar dhe për të përcaktuar nëse në këtë rast janë përfshirë edhe persona të tjerë.
Njoftimi i policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Inventari”.
Vodhën 40 000 kg kafe në subjektin ku punonin dhe e shitën, vihen në pranga 2 magazinierë dhe në hetim shpërndarësi.
Nga kjo veprimtari kriminale e kryer përgjatë 3 viteve, 3 shtetasit dyshohet se kanë përfituar 800 000 euro.
Si rezultat i veprimeve operacionale të kryera mbi kallëzimin e administratores së një subjekti në fushën e prodhimit/tregtimit të kafesë, se kishte konstatuar vjedhjen e një sasie të madhe produkti, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomiko-Financiare finalizuan operacionin e koduar “Inventari”.
Si rezultat i operacionit:
-u vunë në pranga shtetasit A. K., 35 vjeç dhe V. K., 29 vjeçe, magazinierë në këtë subjekt;
-nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin L. B., 29 vjeç, shpërndarës.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke shpërdoruar detyrat, gjatë një periudhe trevjeçare, kanë vjedhur 40 000 kilogramë kafe, nga shitja e së cilës kanë përfituar 800 000 euro.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme./Versus.al

