
Një aksident tragjik me përfshirjen e tre automjeteve ka ndodhur pasditen e sotme (4 korrik), rreth orës 14:50, në zonën e Kryebushatit në aksin rrugor Shkodër–Lezhë. Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën një 37-vjeçar, ndërsa tre persona të tjerë janë plagosur.
Viktima është Gjin Bzhangaj, 37 vjeç, i cili udhëtonte me bashkëshorten e tij, J. Bzhangaj, 32 vjeçe, dhe dy fëmijët e mitur. Të tre ndodhen në spital dhe fatmirësisht janë jashtë rrezikut për jetën.
Sipas informacioneve paraprake, aksidenti ndodhi kur një kamion humbi kontrollin dhe u përplas fillimisht me një automjet tjetër, përpara se të përplasej me makinën ku ndodhej familja Bzhangaj. Nga automjetet e tjera të përfshira në aksident nuk raportohet për persona të lënduar.
Grupi hetimor dhe policia ndodhen në vendin e ngjarjes për të përcaktuar shkaqet e aksidentit.
Njoftimi i policisë:
Shtetasi T. K., 42 vjeç, duke drejtuar kamionin e tij, dyshohet se ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe si pasojë është përplasur fillimisht me automjetin me drejtues A. S., 63 vjeç dhe më pas është përfshirë në aksident edhe automjeti me drejtues shtetasin Gj. B., 37 vjeç. Si pasojë e përplasjes, ka ndërruar jetë në Spitalin Rajonal Shkodër shtetasi Gj. B., ndërsa janë dëmtuar bashkëshortja e tij, shtetasja J. B., 32 vjeçe, dhe dy fëmijët e mitur, pasagjerë në të njëjtin automjet. Të dëmtuarit ndodhen jashtë rrezikut për jetën.Versus.al







