Policia e Shtetit ka njoftuar se, falë bashkëpunimit ndërkombëtar përmes rrjetit ENFAST dhe strukturave homologe në Holandë dhe Belgjikë, është bërë e mundur arrestimi i shtetasit shqiptar Shkëlqim Vokri, 56 vjeç, banues në Dërmenas, Fier, i cili posedonte edhe dokumente me shtetësi holandeze.
Vokri ishte i shpallur në kërkim nga autoritetet holandeze për një dënim prej 686 ditësh burg lidhur me veprën penale të “Shkeljes së aktit për drogat”, përfshirë transportin e 250 kg kokainë në Holandë.
Operacioni u realizua falë shkëmbimit të informacionit në kohë reale mes FAST Albania dhe partnerëve ndërkombëtarë, duke mundësuar lokalizimin dhe arrestimin e tij në Belgjikë.
Njoftimi i Policisë së Shtetit
Drejtoria e Forcës së Posaçme Operacionale nëpërmjet FAST Albania-s, kontribut konkret duke bashkëpunuar me rrjetin ENFAST dhe homologët për lokalizimin dhe kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Në kuadër të bashkëpunimit të ngushtë me rrjetin ENFAST dhe homologët e FAST Holandës dhe FAST Belgjikës, është bërë i mundur lokalizimi dhe arrestimi në shtetin e Belgjikës i shtetasit shqiptar Shkëlqim Vokri, 56 vjeç, banues në Dërmenas, Fier, i cili posedonte dokument me shtetësi holandeze.
Ky shtetas rezultonte i shpallur në kërkim nga autoritetet e shtetit holandez, pasi, bazuar në urdhrin e arrestit europian dhe ndërkombëtar (EAW/IAW), duhet të vazhdojë vuajtjen e dënimit prej 686 ditësh burgim të mbetura, lidhur me veprën penale të “Shkeljes së aktit për drogat” (trafikim të lëndëve narkotike), të parashikuar nga Kodi Penal Holandez, në lidhje me transportin e 250 kg kokainë në shtetin holandez.
Ky operacion i suksesshëm u realizua falë shkëmbimit në kohë reale të informacionit të siguruar nga Fast Albania dhe bashkëpunimit operacional ndërmjet strukturave të FAST Albania, pranë Drejtorisë së Forcës së Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale të Policisë së Shtetit, dhe partnerëve ndërkombëtarë, konkretisht me FAST Holandën dhe FAST Belgjikën.
Policia e Shtetit, nëpërmjet strukturave të saj të specializuara, mbetet e angazhuar maksimalisht në bashkëpunimin ndërkombëtar, për lokalizimin, kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar, me qëllim vënien e tyre përpara drejtësisë./Versus.al







