
Një konflikt i çastit pasditen e sotme në zonën e Plazhit në Durrës ka përfunduar me plagosjen e një taksisti.
Ngjarja ndodhi rreth orës 17:35, në lagjen nr. 13, sektorin “Hekurudha”, ku 45-vjeçari Florant Sinanaj, banues në Tiranë, dyshohet të jetë goditur me thikë nga persona ende të paidentifikuar.
Sinanaj u transportua menjëherë në Spitalin Rajonal të Durrësit, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Burime nga spitali bëjnë me dije se ai ka marrë dy plagë shpuese në gjoks dhe bark.
Megjithatë, sipas mjekëve, gjendja e tij shëndetësore është stabile dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Policia ka nisur hetimet për identifikimin e autorëve dhe sqarimin e rrethanave të ngjarjes, ndërsa banorët e zonës shprehin shqetësim për rritjen e rasteve të dhunës në këtë pjesë të qytetit.
Ngjarja ka shkaktuar reagime të menjëhershme në komunitet, duke rikthyer vëmendjen tek siguria në zonën turistike të Durrësit.

